Në Japoni fillimisht tërmeti, më pas cunami dhe në fund shpërthimet në centralin bërthamor Fukushima, kanë shkaktuar mijëra të vdekur. Autoritet njoftojnë për rrezikun e shkrirjes bërthamore në tre reaktorë. Në rajonin e tërmetit në Japoni forcat e shpëtimit kanë zbuluar rreth 2.000 kufoma. Trupat pa jetë janë gjetur në brigjet e prefekturës Miyagi, njofton kanali televiziv japonez NHK. Më parë policia e kishte dhënë numrin zyrtar të viktimave me 1.600 vetë. Por për shkak të numrit të madh të të humburve, llogariten më shumë se 10.000 viktima. Mbi centralin bërthamor japonez Fukushima 1, që prej mëngjesit ka sërish një re të dendur tymi.

Në një prej ndërtesave të reaktorëve ka pasur një shpërthim, përmasat dhe pasojat e tij nuk dihen ende saktë. Të paktën tre persona janë lënduar, njofton agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, e cila i referohet operatorit të centralit, Tepco. Shtatë punonjës të tjerë të centralit rezultojnë të humbur. Gjendje kaotike dhe mungesë mallrash ushqimore Pas shpërthimit të dytë në centralin bërthamor Fukushima, në Japoni po rritet frika nga ngushticat në furnizimin me ushqime. Në zonën e katastrofës në brigjet verilindore të vendit janë të hapura shumë pak supermarkete. Në ditët e fundit radhët në to janë shumë të gjata. Qytetarë të dëshpëruar kanë blerë gjithçka është më e nevojshme. Uji i pijshëm dhe artikujt ushqimorë janë pakësuar. Edhe në kryeqytetin Tokio sundon pjesërisht gjendja kaotike. Qytetarë në panik kanë mësyrë në mëngjese supermaketet dhe kanë blerë mallra me shumicë.

Një grua e vjetër i tha televizionit NHK se ajo ka blerë çdo lloj ushqimi që ka gjetur. Bateritë janë një mall që gjendet me vështirësi në dyqanet japoneze. Njerëzit i blejnë ato në sasi, sepse ka njoftime që në ditët e ardhshme do të pritet energjia elektrike për një kohë të caktuar me qëllim të kursehet energji. “Gjithmonë kur dua të blej diçka i gjej dyqanet mbyllur. Çfarë të bëj unë?” – ankohet një japoneze. Në shumë rajone shpërndahen artikuj ushqimorë falas për personat në nevojë. Industria përballet me probleme Shumë ndërmarrje kanë mbyllur fabrikat për shkak të shkatërrimeve. Edhe fabrikat e Toyotas qëndruan të hënën të mbyllura. Një situatë e tillë ka pasur pasoja në prodhimin industrial të vendeve të tjera. Japonia është ndër prodhuesit kryesorë të mallrave elektronikë, kompjuterave dhe aparateve të telekomunikacionit. Shumë fabrika në Korenë e Jugut janë të varura nga produktet japoneze për të prodhuar monitorët LED dhe “chips” për kompjuterat.

Edhe dega koreanojugore e anijeve ka nevojë për çelikun japonez. Ajo po përgatitet për ngushtica në furnizim dhe çmime të larta. “Nippon Steel” – prodhuesi i katërt i çelikut në botë ka bërë të ditur ndërkohë se prodhimi ka ndalur vetëm në filialin Kaimishi në veriun e Japonisë. Të gjitha fabrikat e tjera janë të paprekura nga katastrofa. Thirrje për kursim energjie Qeveria japoneze i ka bërë thirrje ekonomisë në fundjavë të kursejë energji, pasi nga mosfunksionimi i disa centraleve bërthamorë mund të mos sigurohet më furnizimi me energji elektrike. Edhe frika nga një katastrofë atomare po rritet gjithnjë e më shumë. Të hënën ka ndodhur një shpërthim i ri në centralin e parë të Fukushimës. 11 punëtorë janë plagosur. Zëdhënësi i qeverisë japoneze Yukio Edano u shpreh se nuk është dëmtuar shtresa mbrojtëse e reaktorit: “Ka pasur me sa duket vetëm një shpërthim të hidrogjenit, si në shpërthimin e së shtunës në mbrëmje. Njerëzit në një perimetër prej 20 kilometrash janë larguar nga zona.”. (DW)