Interi kualifikohet me përmbysje. Në Mynih, vendos goli i Pandevit, dy minuta para fundit

Një gol i Pandevit dy minuta nga fundi i ndeshjes i ka dhuruar fitoren 3-2 Interit kundër Bajernit duke i kualifikuar zikaltrit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ka qenë një ndeshje e çmendur në Mynih: në minutën e 3-të të pjesës së parë Interi ka kaluar në avantazh me Etonë, por kur gjithçka dukej se po shkonte mirë, një gabim i Hulio Sezar i ka lejuar Gomezit të barazojë rezultatin në 1-1 në minutën e 21-të.

Një gol që i ka tronditur zikaltrit që kanë pësuar edhe golin e dytë nga Myler. Por Bajerni ka shpërdoruar shumë gjatë 90 minutave, Shnejder ka barazuar 2-2 (64′) dhe Pandev ka mbyllur llogaritë për skuadrën e Leonardos. Kështu, futbolli italian është shpëtuar nga Interi, që ka shpëtuar edhe veten pasi ka bërë vetëvrasje.

Italinë e ka shpëtuar Interi dhe Goran Pandev, që ka gjetur golin e kualifikimit dy minuta nga fundi, kur gjithçka dukej e humbur. Në Mynih zikaltrit nuk kanë luajtur si kampionë të Europës, por kanë treguar edhe një herë se kanë një karakter të fortë dhe një cilësi në sulm, që shumë pak skuadra mund t’ia lejojnë vetes.

Goli i kualifikimit në çerekfinale ka qenë i maqedonasit, por ndeshjen e ka fituar Samuel Eto: ka kaluar në avantazh zikaltrit në fillimin e ndeshjes, goli i barazimit 2-2 i Shnejderit ka ardhur pas një pasimi të afrikanit, ka qenë i tiji edhe pasimi për golin e kualifikimit të realizuar nga Pandev.

Më parë, ose gjatë ndeshjes, janë bërë shumë gabime, mbi të gjitha nga ana e Bajernit. Në “Allianz Arena” ka ndodhur gjithçka. Në fillim, siç u tha, ka ardhur goli i Etosë që dukej se kishte çuar Interin në rrugën e duhur drejt çerekfinaleve të Championsit. Më pas ka ardhur gafa e Hulio Sezar pas gjuajtjes së Roben dhe barazimi 1-1 me Gomez.

Në vazhdim gabimi i Tiago Motës që ka sjellë avantazhin e bavarezëve me Myler. Në fund një listë e gjatë gabimesh para portës nga ana e vendasve (Riberi, Roben dhe Myler) dhe kundërsulme të gabuara, gjithçka pra nga gjermanët. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur në 45 minutat e para të çmendura, kur eleminimi i Interit dukej, dhe me të drejtë, një siguri.

Por, në pjesën e dytë, edhe pse i ka lejuar shumë hapësira kundërshtarëve, skuadra e Leonardos ka ndryshuar ritmin, dhe ka vënë në vështirësi Bajernin. Për të ndryshuar sërish takimin ka menduar Shnejder, me një të djathtë të pagabueshme për 2-2-in.

Pjesën tjetër e ka bërë Van Gal (i pakuptueshëm zëvendësimi i Robenit, më i miri në fushë për Bajernin) dhe e ka bërë, mbi të gjitha, frika e bavarezëve për të mos ia dalë mbanë. Goli i Pandevit ka ardhur në minutat e fundit dhe tani Interi ka një mundësi tjetër për të mbrojtur titullin e fituar me meritë një vit më parë.

Shvajnshtajger: Nuk di çfarë të them!

Pas eleminimit nga Interi, mesfushori gjerman Bastian Shvajnshtajger nuk ka ditur të japë një shpjegim për ndeshjen e humbur ndaj zikaltërve: “Nuk e di çfarë të them, kemi pasur shumë raste, kemi qenë shpesh katër kundër dy lojtarëve të Interit dhe nuk kemi arritur të shënojmë. Nuk kemi luajtur mirë në aspektin taktik.

Nuk është faji i mbrojtjes, e gjithë skuadra duhet të mbrojë. Duhet të ringrihemi në kampionat dhe të kërkojmë të arrijmë zonën Champions”, ka thënë Shvajnshtajger.