Izraeli nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk sheh të arsyeshme për të ndryshuar pozicionin e mbajtur deri tani. Kështu është shprehur në një deklaratë Ambasada e Izraelit në Beograd.

Ambasada reagoi pas raportimeve të bëra nëpër medie se Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman i ka “premtuar ministrit të Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi të tyre, se Izraeli do të rishikojë qëndrimin e vet lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Në këtë mënyrë, ambasada e shtetit hebraik ka njoftuar se vendi nuk e ka ndryshuar pozicionin e vet përballë pavarësisë së Kosovës, e shpallur tre vjet më parë dhe e konsideruar si akt i paligjshëm nga ana e Serbisë.