Kazuko Yamashita ishte vetëm 5 vjeçe kur bomba atomike u hodh mbi Nagasaki, duke i shkatërruar shtëpinë brenda një sekonde dhe duke e lënë atë me frikën e përjetshme se sa herë sëmurej, mund të ishte duke u përballur me kancerin. Tashmë 71 vjeçe, ajo po ndjek rrezikun bërthamor që i kanoset Japonisë nga shtëpia e së bijës në Tokio, bashkë me dy mbesat e saj.

“Duket sikur njerëzit janë më të ndjeshëm. Sigurisht nuk më takon mua ta them, edhe pse rreziku i radioaktivitetit është diçka serioze, por unë isha 3.6 km larg nga bomba, ndërsa tani janë evakuuar të gjithë në rrezen 20 km nga impianti. Nuk e kuptoj këtë lloj frike”, tha ajo për Reuters.

Pothuajse një javë pas tërmetit dhe cunamit që u ndoqën nga kriza në impiantin bërthamor, shumë të huaj kanë lënë vendin dhe ndërprerjet e herëpashershme të energjisë e frika e radioaktivitetit kanë kapluar kryeqytetin. Yamashita tha se nuk po e merr lehtë situatën, edhe pse ankohet për mbulimin alarmant që po i bëjnë mediat situatës. “Nuk mund të them që nuk jam e shqetësuar, por nuk jam as e alarmuar”, tha ajo. “Ajo çfarë më shqetëson më shumë, janë mbesat e mia, sepse ato janë ende të vogla”.

Yamashita vuan nga diabeti, probleme të tiroideve dhe osteoporoza, për të cilat ajo fajëson bombën atomike që u hodh mbi qytetin e saj të lindjes në fund të Luftës së Dytë Botërore. “Radioaktiviteti është diçka të cilën fillon ta shohësh me kalimin e viteve, prandaj është i frikshëm”.

Ndryshimi brenda një minute
Në atë verë të nxehtë të vitit 1945, Yamashita mbijetoi falë një jorgani të rëndë që i ra sipër si pasojë e shpërthimit të bombës. “Nuk pashë asgjë, por zhurma ishte e pabesueshme. Pastaj, kur u ngrita disa minuta më pas, gjithçka kishte ndryshuar. Nuk kishte mbetur asgjë nga shtëpia, përveç shtyllave mbajtëse dhe bota rreth nesh ishte bërë e kuqe”, tregon ajo.
“Tani të gjithë po e bëjnë shumë zhurmë rreth problemit të reaktorëve në Fukushima, por nuk ka asgjë të ngjashme me atëherë”.

66 vjet më pas
Ndoshta për shkak të influencës së të ëmës, Shigeko Hara është po aq stoike sa ajo, edhe pse vuan nga çrregullime të tiroides, tipike për fëmijët e mbijetuar të bombës atomike. “Sa e sigurt është situata tani? Kjo varet nga çfarë mund të ndodhë më pas dhe meqë unë kam fëmijë, më duket e frikshme”, thotë 39-vjeçarja. “Por gjithashtu i frikshëm është fakti se vendi i rënies së tërmeteve duket se po ndryshon. Po ndodh në vende të ndryshme, nuk mund ta dish kurrë se ku mund të bjerë tjetri. Unë mbaj këpucë sportive gjatë gjithë kohës, edhe në punë, sepse nuk e di se çfarë mund të ndodhë dhe dua të jem e përgatitur për çdo gjë”, thotë ajo.

Si shumë banorë të Tokios, edhe ajo mban gati një çantë në rast nevoje me doreza, çorape, këpucë me të cilat mund të ecet mbi xhama, ilaçe dhe manikota. Ajo tregon gjithashtu se rezervat ushqimore në rast emergjence janë në fund të datës së skadencës. Pas tërmetit, shkoi për të blerë ushqime dhe u shokua kur pa se raftet e dyqaneve ishin boshatisur. Vetëm të mërkurën, mund të blinte qumësht për vajzat e saj, pas qëndrimit për një kohë të gjatë në radhë.

Familja e saj po e kufizon në maksimum përdorimin e energjisë elektrike, pas thirrjes së qeverisë për kursim, teksa dridhen nën batanije për shkak të të ftohtit të pazakontë për stinën në Tokio. Nga frika e radioaktivitetit, ajo është detyruar t’i ndejë rrobat e lara në ambientet e shtëpisë. Të dyja, nënë e bijë, thonë se problemet e tyre nuk janë asgjë në krahasim me vështirësitë që hasin të mbijetuarit në zonat e goditura nga cunami. “Fola në telefon me një shoqe të fëmijërisë, e cila jeton në zonën afër reaktorit dhe i thashë: Kemi kaluar më shumë se kaq”, thotë Yamashita, duke shtuar: “Japonezët janë të fortë dhe dinë të mbijetojnë”.