Po vënë dorë mbi kalanë e Lezhës. Kafshërisht. Në fillim ka shkruar për këtë gjë arkeologu Lorenc Bejko më 8 mars, në Gazetën Shqiptare. Ka shkruar? Në fakt, u ka rënë borive të alarmit lidhur me atë që po ndodh në kalanë e Lezhës. “Kanë nxjerrë nga sirtari një projekt të vjetër ndërhyrjeje në këtë kala; ky projekt është kritikuar dhe refuzuar në vitin 2007 nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, por tani nuk ka kush ta bëjë rezistencën”, thotë pak a shumë në shkrimin e vet Lorenc Bejko. Dhe pikëllimi e zemërimi i kullojnë nga çdo frazë.

Po çfarë kanë planifikuar t’i bëjnë kalasë së Lezhës? Na e thotë Bejko në të njëjtin shkrim: “Intimiteti dhe atmosfera krejtësisht magjike e hapësirës së brendëshme të kalasë, do të zëvendësohet nga një pamje ‘shumë dinamike’ me ndërtesa një e dykatëshe ku do të ofrohen shërbime bari, restoranti, po edhe disa dhoma hoteli. Ndërtimet do të shfrytëzojnë rrënojat ekzistuese dhe do t’i plotësojnë ato për të ngritur muret mbajtës të ‘vizionit të ri’ me kafe, qofte e motel brenda. Me pak fjalë, edhe një nga vendet e pakta që na ka mbetur ku qetësia, natyraliteti dhe kontakti me autenticitetin e të kaluarës ende mbretëron, rrezikon ta humbë këtë magji dhe të shndërrohet në një restorant më shumë. Nëse ka një vlerë që objektet dhe sitet e trashëgimisë kulturore mbartin dhe transmetojnë në qeniet dhe mendësitë tona dhe të shoqërisë bashkëkohore, është pikërisht ndjesia e pastërtisë, qetësisë, reflektimit, thjeshtësisë, origjinales, harmonisë së objekteve të njeriut me mjedisin natyror. Për cilën arsye madhore do të na duhet të heqim dorë prej këtyre vlerave që kalaja e Lezhës i mbart në mënyrën më dinjitoze ashtu siç ruhet sot? Përgjigjen na e jep drejtori i aktual i IMK-së: Duhet tu ofrojmë një kafe vizitorëve kur arrijnë atje lart!!!”

Ka kthyer ndokush përgjigje? Presidenti? Kryeministri? Ministri? Ndonjë prej të akuzuarve? As që bëhet fjalë. Me sa duket, duhet folur prapë, jo për t’i bërë të mëdhenjtë që të flasin, por për të bërë të vegjlit të kuptojnë. Për fat të mirë, ka ende tek-tuk ndonjë që flet. Dje, në email-in tim gjeta një letër të hapur që Salvator Gjeçi, ekspert i fushës nga Lezha, ia dërgonte Ferdinand Xhaferrit, Ministër i TKRS-së, dhe për për dijeni z. Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Institutit të Arkeologjisë, mass-media-s, dhe në fund, Këshillit Bashkiak, Lezhë. Prej gazetave që mora sot, asnjëra sosh nuk ishte marrë me këtë letër.

Çfarë thotë zoti Gjeçi? Thotë gjëra, që të bëjnë të ikësh mendsh (ndonëse vetë i dija nga shkrimi i Bejkos). Ja disa nga faktet (dua ta theksoj: janë fakte, e jo opinione):

1. Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lissit do të ndërtohet një fshat turistik malor,

2. Trojet historike të mbretërive ilire,… sarajet e Dukagjinëve do të shiten për gjelltore, për hotele e motele,

3. Oda, ku janë mbledhur prijësat shqiptarë për të bërë besëlidhjen, do të kthehet në restorant për mish dhie,

4. Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore,

5. Atje ku fare mirë mund të ishte një muze etnografik, do të ndërtohen nevojtoret publike,

6. Mbi rrënojat e kishës së shekullit të 13-të do të ndërtohet një diskotekë nate,

7. Bujtina e miqve të princave dukagjinas (e kthyer në xhami pas pushtimit turk) do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit,

8. Çisterna antike do të kthehet në depo për ruajtjen e turshive,

9. Varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet,

10. Numri i mishngrënsave dhe manjakëve të seksit do të numërohen për vizitorë të turizmit kulturor, etj, etj.

Pse bëhet e gjithë kjo? “Gjithçka vjen prej presionit të personave me pushtet për qëllime përvetësimi të pasurive më të lakmueshme kombëtare”, thotë Gjeçi. Nuk harron të pëmendë emrin e Apollon Baçes, pasi vendimi për ta miratuar këtë projekt përkon në kohë me rikthimin e tij. Të njëjtin person ka identifikuar si fajtor (përveç të tjerëve) dhe Lorenc Bejko.

Më kanë ardhur via e-mail dy foto; njëra e kalasë së Lezhës ashtu siç ka qenë e siç duhet me qenë, dhe tjetra e kalasë ashtu si don A. Baçe të jetë, dmth me lokalet një e dy katëshe brenda mureve rrethues të kalasë; këto lokale parashikohet të ngrihen mu atje ku sot janë rrënojat e mureve të brendshme; e sikur kjo të mos ishte mjaft, në projekt të zënë sytë dhe një fushë sportive; duket si fushë tenisi.

Janë çmendur këta njerëz? Apo u ka plasur cipa? Për mua janë të dyja. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që nuk duan t’ia dinë më për asgjë. Janë të sponsorizuar, të frymëzuar e të mbrojtur në këtë yxhym nga një bandë plaçkitësish, të cilët kanë në dorë procesin e vendimmarrjes. Inkurajohen dhe nga dremitja e heshtja e shoqërisë shqiptare. Në rastin konkret janë lezhjanët, që heshtin (Salvator Gjeçi është një zë që po u shpëton nderin, por nuk dihet a do t’u shpëtojë kalanë); e të mendosh se para ca kohësh një pjesë syresh bënë një protestë të bujshme kundër Klodit homoseksual! Trima të mëdhenj dhe qytetarë 24 karatësh, s’ke ç’u thua! Le t’i vënë flakën Lezhës, punë e madhe! Vetëm të mos dalë ndonjë gay që t’u marrë erzin. Uf! Mesjetë. Shekulli XI, XII, XIII.

Po jetojmë në kohë njimend dramatike. Këtë vend po e merr lumi. Nga njëra anë shoqëria shqiptare ka rënë në një gjumë të thellë, e nga ana tjetër kemi një bandë plaçkitësish që nuk ka kush t’i pengojë në bëmat e tyre. Dhe rrethi është i mbyllur: “Për të bërë plaçkë, u duhet të fitojnë zgjedhjet; që të fitojnë zgjedhjet, duhet të kenë plaçkë. Nuk kanë rrugë tjetër pra. Me të mësuar se ç’është plaçka, duan të bëjnë sërish plaçkë; për të bërë plaçkë, u duhet që të jenë se s’bën në pushtet; që të jenë më të sigurtë u duhet të trembin dhe institucionet e drejtësisë apo institucione të tjera; e që të blindohen fare, kanë bërë për vete dhe ambasadorët. 

Si i bëhet? Me vjen keq. Nuk kam zgjidhje!  

Marrë nga ResPublica