Në Japoni rritet shqetësimi tek njerëzit lidhur me përhapjen e radioaktivitetit pas aksidentit në Fukushima. Sipas të dhënave të fundit edhe deti është kontaminuar me radioaktivitet. Qysh prej ditësh ekspertët e kishin të qartë, që kjo do të ndodhte. Pas konstatimit të radioaktivitetit tek ushqimet dhe uji i pijshëm, tani edhe deti është kontaminuar. Ky fakt nuk është befasues, sepse katastrofa në kompleksin bërthamor Fukushima I ndodhet direkt në bregdet. Qeveria po relativizon konstatimet e fundit alarmuese Zëdhënësi i qeverisë Yukio Edano bëri atë, që ai bën gjithmonë në raste të tilla: Ai paraqiti shifrat, për ta formuluar me kortezi. Nëse shprehemi me kritikë ndaj deklaratës së tij, ai i relativizoi të dhënat. “Unë do të dëshiroja, që popullsia ta kuptojë se këto janë vlera të kalkuluara me mjaft konservatorizëm: Matja e rrezikut është bërë nisur nga supozimi, sikur njeriu të pinte një vit resht ujë deti. Por një gjë e tillë nuk ndodh. Ndaj këto vlera nuk influencojnë direkt tek shëndeti i njeriut.

” Rreziku për njeriun “ende” i ulët Një gjë është e qartë: Radioaktiviteti në det në afërsi të kompleksit Fukushima I i ka tejkaluar disa herë vlerat normale. Por edhe ekspertë të pavarur theksojnë se rreziku i vërtetë për njeriun është ende i ulët. Ata nënvizojnë aspektin kohor duke përdorur ndajlfojen “ende”. Problemet në Fukushima mbeten: Mbi reaktorët II dhe III vazhdon të ngrihet reja e tymit. Kryesisht blloku III i jep shkas edhe vetë zëdhënësit të qeverisë Edano për t’ u shqetësuar. Sepse elementët djegës në këtë bllok përmbajnë pluton helmues: “Eshtë e vështirë, që të zbulosh shkaqet për daljen e tymit, sepse ne nuk mund të shohim direkt brenda. Ekipet në vendin e aksidentit po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur shkaqet dhe njëkohësisht kërkojnë informacione për të verifikuar presionin në reaktor, sasinë e rrezatimit dhe për gjendjen në vaskën e ftohjes.

” Për tymin, sipas inxhinierëve, shkas mund të jenë pjesë të rrënojave, që digjen dhe avujt e ujit. Sidoqoftë, punimet, që duhej të ndaloheshin të hënën (21.03.2011), sepse gjendja u bë e rrezikshme për punonjësit, po vazhdojnë, ndonëse me ndërprerje të herë pas hershme. Zjarrëfikësit po përpiqen të ftohin bllokun e tretë dhe të kartërt duke përdorur pompat e ujit. Të gjashtë reaktorët ndërkohë janë lidhur sërish me rrjetin dhe po furnizohen me rrymë. Megjithatë mbetet e paqartë, nëse sistemet e ftohjes do të rivihen në funksionim. Mesazhi i qeverisë sot është: “Ju lutemi durim!”. Japonia gjithnjë e më intensivisht vazhdon të përgatitet për një jetë me rrezikun bërthamor. Një shembull është Tokio – ndonëse kryeqyteti për disa ditë kishte marrë pamjen e një qyteti fantazëm, ndërkohë ka nisur të rikthehet jetë në rrugët e tij. Metroja, arteria kryesore e jetës së metropolit, është rivënë plotësisht në funksionim dhe qendrat gjigante tregtare janë të frekuentuara mirë.

“Pavarësisht nga ndërprerjet e rrymës në qytet, tashmë tek gjithçka është kthyer normaliteti. “E rëndësishme është tani, që të dërgojmë më shumë ndihma në Veri”, shprehet një nëpunëse, e cila shpreh ndenjën e të gjithë njerëzve në Tokio. Njerëzit, në një kohë që vështrojnë të shokuar gjendjen mjaft të tensionuar në zonat e katastrofës së cunamit, tani kanë filluar të ambjentohen me rrezikun latent bërthamor. Ata shkojnë sërish në punë, shumë dyqane, që u mbyllën përkohësisht për mungesë të klientelës, tani janë hapur sërish. P.sh. një sipërmarrës taksish ka aktualisht vetëm një problem, që për shkak të gjendjes në zonat e katastrofës disa mallra të rëndësishme mungojnë: “Mua më preokupon mungesa e benzinës. Ne lejohemi të furnizohemi vetëm me 20 litra për person dhe ndonjëherë na duhet të presim për këtë në radhë katër deri në pesë orë. Unë nuk e di, se si do të zgjidhet ky problem për një të ardhme të afërt.” Me sa duket ky problem nuk do të zgjidhet kaq shpejt, sepse benzina mungon në masë në zonat e tërmetit dhe të cunamit. Kësisoj gjendja e jashtëzakonshme me kalimin e kohës po kthehet në diçka të zakonshme në Japoni.