Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli vizitën e tij të parë zyrtare jashtë shtetit e zhvillon në Shqipëri. Sot ai ka nisur vizitën e tij ne Tiranë. Sipas axhendës zyrtare Pacolli u prit sot në një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Bamir Topi, në kuadër të vizitës së parë shtetërore të tij në Shqipëri. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të dy vendeve dhe përshëndetjeve të rastit, Presidenti Pacolli dhe homologu i tij shqiptar zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas, pritet të kryesojnë bisedimet dypalëshe mes delegacioneve zyrtare. Më tej, dy Presidentët dhane një konferencë të përbashkët për shtyp për përfaqësuesit e mediave.

Presidenti Behxhet Pacolli propozoi sot një nismë në Tiranës sipas të cilës dy shtetet Kosova dhe Shqipëria do të përfitonin shumë si në aspektin ekonomik por dhe në atë të integrimit. 
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentit Bamir Topi, Pacolli theksoi se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri nuk duhet të plotësohet edhe më shumë, sidomos lëvizjes së lirë të mallrave dhe ligjet që asistojnë në këtë pikë. 

“Ajo rrugë që më parë u nevojiteshin qytetarëve 10 orë, Rruga e Kombit sot bëhet për 3 orë. Por, ajo nuk është e përplotë, e karikuar sa duhet me lëvizje të mallrave dhe njerëzve. Ne do e bëjmë këtë për të formuar një treg të përbashkët. Por, kjo bëhet nëse ne që tani do heqim tarifat doganore që përcjellësit e këtyre mallrave të kenë licensa të unifikuara. Të bëjmë ligje të njëjta, standarte të njëjta dhe kjo do na cojë drejt integrimit në BE. Ne me këtë nuk do lëndojmë askënd, do respektojmë normat me komunitetet e tjera”.

Sipas Pacollit, kjo ide dhe nismë e tij, duhet të realizohet sa më shpejt pasi nuk ka më kohë për Kosovën. 
“Lëvizja e lirë, kjo është ide e imja dhe pres shumë të realizohet dhe kështu ne do integrohemi në rajon që në të ardhmen të integrohemi dhe në BE. Forumet që përmenda, ne do të insistojmë që ne të kemi një axhendë, dhe unë jam shumë i bindur se do kem sukses me këtë ide, do bisedojmë për tarifat doganore që ato të mos ekzistojnë, që të jenë veprimtari plotësuese, që ajo që është në Kosovë dhe jo në Shqipëri të sillet këtu dhe ansjelltas, si psh, patatet, rrushi jonë. Por jo vetëm kaq dhe lëvizje të lira të ideve, unifikimin e teksteve shkollore, këto forume të ndodhin se ne duhet t’ja fillojmë tani, jemi me vonesë”. 

Presidenti Bamir Topi nga ana e tij theksoi se biseda mes dy presidentëve ishin pikërisht pikat se si dy vendet të rrisin dimensionin e komunikimit mes tyre, por edhe tema të ndjeshme, sic janë problemet me tekstet. 
“Lindin probleme për përsosjen e teksteve që kanë të bëjnë me dimensionin e arsimit, për të rritur standartin e arsimit. Diskutova me presidentin që Rruga e Kombit, një element infrastrukturor tejet i rëndësishëm të shfrytëzohet me mirë për lëvizjen e mallrave me një element shumë simbolik. Pacolli e konsideroi rrugën dhe si shkëmbim të ideve, mundësi e madhe për të komunikuar për interesat tona politike, personale, ekonomike, ku dimensioni i lirisë të jetë i shprehur në mënyrë të vecantë”. 

Topi theksoi se edhe pse pati një gëzim shumë të madh kur Shqipëria mori përgjigjen për lëvizjen e lirë në vendet e BE, por me një brengë të madhe për Kosovën. Topi garantoi se Shqipëria në cdo tryezë do insistojë në këtë pikë për Kosovën. 
“I thashë presidentit se ne patëm një gëzim të madh, kur shqiptarët morën të drejtën për të lëvizur të lirë, dhe brengën time që kjo mundësi nuk u realizua për Kosovë. Në të gjitha tryezat ku do jemi të ftuar do diskutojmë që kjo të bëhet e mundur për kosovarët të cilët nuk duhet të mbesin të izoluar, kjo të bëhet e vlefshme dhe për Kosovën”. 
Në këtë pikë Topi përmendi tryezat rajonale, ku vlerësoi se së shpejti nëj e tillë do shtrohet në Ohër nga Presidenti Ivanov. 

Gjatë vizitës së tij Presidenti i Republikës së Kosovës, Pacolli do të zhvillojë takime të veçanta me personalitete të larta të shtetit dhe të politikës shqiptare. 

Presidenti Pacolli do të ketë takime të veçanta edhe me kryeministrin Sali Berisha si dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë vizitës së tij ai do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse parlamentit shqiptar. Presidenti i Kosovës do të takohet dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili do t’i dhurojë “Çelësin e Qytetit”. 

Në ditën e dytë të vizitës së tij (22 mars) në Shqipëri, presidenti Pacolli do të takohet me kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas ceremonisë së vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në Monumentin “Nënë Shqipëri”, presidenti i Kosovës do të jetë i pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës ku do t’i dorëzohet çmimi “Honoris Causa”. 

Axhenda e tij vijon me pjesëmarrjen në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Kosovë, për t’u pasuar nga një vizitë në qytetin e Krujës ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër. Gjithashtu, presidenti Pacolli do të vendosë dhe një kurorë në “Varrin e Skënderbeut” në qytetin e Lezhës.