Nëse ti lexues ke paguar plotësisht apo pjesërisht faturën e energjisë elektrike para datës 11 mars 2009, atëherë je thjesht budalla! Po, po, budalla, biles budalla me brirë. Mos u mërzit ama se nuk je vetëm, kështu jam edhe unë, edhe dhjetëra mijë të tjerë që ashtu si ti kanë paguar për energjinë elektrike, mallin e marrë nga ish divizioni i shpërndarjes i KESH, sot nën pronësi të CEZ. Nëse në vend që të kishim paguar, ne do të ishim treguar kokëfortë, këmbëngulës, kërcënues, shpërfillës ndaj detyrimeve tona dhe do t’ja kishim hedhur mbrapsht në surrat faturat KESh-it, sot do të ishim të lirë nga cdo detyrim sepse Qeveria ka vendosur të falë shumat e papaguara, plot 380 miliard lek të vjetra duke cliruar rreth 270,000 familje nga ky detyrim.
Fatkeqsisht nëse i ke paguar detyrimet, ti i dashur budalla, dhe unë, dhe dhjetëra mijëra të tjerë, s’bën pjesë tek 270,000 familjet fatlume që përfitojnë nga falja. Mbase përkufizimi fatlum është pak i tepruar se sipas z. Kryeministër

Këto janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë

por unë do guxoj gjithsesi ta përdor këtë fjalë se jam i bindur që z. Kryeministër s’i ka shifrat të sakta. Se pavarësisht se c’thuhet sot nga i pari i Qeverisë, shteti shprehet në vende të tjera që në vitin 2009 ishin vetëm 96,800 familje që përfitonin ndihmë ekonomike, rrjedhimisht të varfëra, (INSTAT, Shqipëria në Shifra 2010). E pra,  kërkoj ndjesë për mosbesimin, por e kam të pamundur ta kuptoj se si në këto vite kur Shqipëria është një nga pak vende me rritje ekonomike pozitive në Europë (edhe në botë do thonin ca), numri i familjeve të varfëra qenka pothuajse trefishuar. Po sipas shifrave shtetërore, në Shqipëri në vitin 2008 kishte 373,127 individë që jetonin në varfëri (INSTAT, Shqipëria: Trendi i varfërisë 2002-2005-2008) kështu që duke llogaritur nga 3-4 persona mesatarisht për familje dalin jo më shumë se 90,000-120,000 familje.

Nëse nga kjo falje do të përfitojnë 270,000 familje, dhe prej tyre rreth 120,000 familje janë me të vërtetë të varfëra, atëherë 150,000 familje përfitojnë megjithëse teorikisht kanë aftësinë për të paguar mallin që kanë marrë. Nëse përdoret e njëjta shifër si më sipër, 3-4 individë për familje, i bie që të përfitojnë padrejtësisht rreth 450 – 600,000 individë. 450 – 600,000 individë të zgjuar përballë ne të tjerëve që përmes pagesave tona i mundësojmë të mos paguajnë!

Thuaj po deshe që nuk ndjehesh budalla! Thuaj po deshe që nuk të vjen të plasësh!
______________ 

Nga fjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë, dt. 23/03/2011 mbi miratimin e Amnistisë Fiskale

http://www.km.gov.al

Po sot ne vendosim faljen e detyrimeve ndaj OSSH-së, KESH-it, deri në ditën kur kontrata e firmosur midis OSSH-së dhe CEZ-it ndanë borxhet. Pjesa e borxhit e mbetur në KESH, në institucionin e energjisë, prej saj 380 miliardë lekë të vjetra apo 400 milionë dollarë janë borxhe të konsumatorëve familjarë. Janë, pothuajse, 98 përqind detyrime të shtresave në nevojë. E vërteta është që detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këto janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë. Pra shtresat më në nevojë të popullatës, të cilët nuk kanë mundur të shlyejnë këtë detyrim. Qeveria vendos të falë këtë barrë të rëndë që bie mbi ta dhe që po të mesatarizohet arrin vlerën rreth 1407 dollarë për familje. Ky borxh është kontraktuar në atë periudhë kur ndihma ekonomike ka qenë simbolike, e një niveli shumë të ulët, kur pensionet e ulëta kanë qenë qartësisht më pak se gjysma e pensioneve të ulëta sot. Pra në fshat kanë qenë 34 mijë lekë të vjetra, në qytet ato janë luhatur tek 6 apo 7 mijë lekë. Pensionet kanë qenë shumë modeste për të përballuar jetesën. Situata aktuale e pensioneve nuk është aty ku duhet, por janë mbi dy herë më larta. U arrit që në qytet të mos ketë pension të plotë nën 100 dollarë. Madje të ardhurat pensionale janë 112 dollarë. U arrit që në fshat pensioni të jetë mbi dyfishin e asaj që ka qenë 4 vite më parë. Po kështu ndihma ekonomike ka pësuar rritje. Pavarësisht nga kjo, përsëri, një kategori familjesh janë në mjerim dhe ne po punojnë në identifikimin dhe ndërhyrjen për t’i nxjerrë nga mjerimi. Prapë ky komb dhe kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, këto 12 përqind e familjeve shqiptare që nuk janë në mjerim, por janë në varfëri, jetën nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë të lehtë. Ndaj dhe ne bëjmë këtë falje të gjitha detyrimeve. Shteti ua quan të paqena dhe gjykoj se ky është një veprim plotësisht i moralshëm, i arsyeshëm dhe një veprim i merituar në këtë 20 vjetor të diktaturës hoxhiste në Shqipëri.