Më 26 mars 2011 në orën 20:30 deri në 21:30 në disa qytetet të Kosovës u shënua dita ndërkombëtare “Ora e Tokës” me qëllim të sensibilizimit të opinionit se mund të merren masa konkrete kundër ngrohjes globale.

Ky aktivitet organizohet çdo vit nga “Fondi Botëror për Natyrë – ËËF” ndërsa për Kosovë si partner implementues mbi baza vullnetare për shënimin e kësaj dite ka Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA dhe Shoqatën Ekologjike “Eko Viciana”.

Vitin e kaluar, “Ora e Tokës” është organizuar vetëm në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, ndërsa këtë vit ky aktivitet ka gjetur përkrahje edhe në disa Komuna tjera të Kosovës si; Podujevë, Mitrovicë, Vushtri, Skënderaj, Pejë dhe Prizren, me ç’rast janë shpërndarë fletushka dhe fanella.

Në Prishtinë manifestimin solemn e hapi Mr. Rrahman Ferizi kordinator i Projektit për Kosovë, ku falenderoi qytetarët dhe institucionet të cilat e përkrahen dhe ndihmuan shënimin e kësaj dite me përmasa globale, pastaj me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua Prof.Dr. Behxhet Mustafa i zgjedhur nga organizatorët si Ambasador i “Ora e Tokës”.

Në ora 20:30 deri në 21:30 u fikën dritat në sheshin “Nëna Terezë” ku edhe u ndezën qirinjë në formë të numrit 60–të i cili simbolizon gjashtëdhjetë minutat e këtij aktiviteti.

Në fund u prezantua edhe një dokumentar me inserte të pamjeve për gjatë tërë botës me rastin ë manifestimit të kësaj dite.

Sikur në Prishtinë edhe në Prizren shënimi i kësaj dite zgjoi interesim të madh të qytetarëve, ku i’u përgjigjën pozitivisht ndaljes së dritave në “ Sheshin Shadërvan” .

Pas hapjes së manifestimit të pranishmëve iu drejtua Ruzhdi Rexha Nënkryetar i Komunës së Prizrenit i cili ftoi Institucionet dhe qytetarët në përkrahje të kësaj iniciative për kursimin e energjisë elektrike. Ndërsa vetë i vizitoi disa nga lokalet e sheshit Shadërvan nga të cilët kërkoi që t’i ndalin dritat për një orë, apel së cilës iu përgjigjën pozitivisht të gjitha lokalet.

Manifestimi gjeti përkrahje të madhe edhe në Qytetet tjera ku u shënua kjo ditë ndërkombëtare, me çka edhe tregon faktin se kur ndërmerren iniciativa të tilla të dobishme nuk mungon vullneti i qytetarëve në përkrahjen e tyre.

Gjatë manifestimit të kësaj dite njëzëri u theksua së kursimi i energjisë elektrike zvogëlon në masë të madhe emitimin e dioksidit të karbonit në natyrë pra më këtë ulë edhe efektin e ndotjes së mjedisit si një ndër ndikuesit permanent të ngrohjes globale.

Vetëdijesimi i shoqërisë mbi dukuritë e ndotjes së mjedisit, gjetjen e alternativave tjera të shfrytëzimit të energjisë elektrike dhe implementimin e faktorëve të cilët rrisin edukatën mjedisore të shoqërisë ishin moto fundamentale të këtij aktiviteti.

Shënimin e këtij aktiviteti në Kosovë, sivjet e ka ndihmuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.