Një gol i Salihit i ka mjaftuar Shqipërisë që të sigurojë një fitore të vyer 1-0 kundër Bjellorusisë. Sulmuesi shkodran arriti të gjejë rrjetën në minutën e 62-të, pas disa rastesh të panumërta dhe gola të anuluar në minutën e 62-të, duke i dhuruar fitoren kuqezinjve në sfidën e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2012. Pas kësaj ndeshjeje Shqipëria ka 8 pikë, po aq sa Bjellorusia e vendit të dytë dhe 4 pikë larg Francës së vendit të parë. Teorikisht, Shqipëria është plotësisht në lojë për t’u kualifikuar, ndonëse ka edhe shumë ndeshje për të luajtur dhe përballë kemi kundërshtarë mjaft të fortë.

Kuqezinjtë kanë luajtur mjaft mirë, ndoshta ndeshjen më të mirë të këtyre eliminatoreve, duke pasur raste flagrante për gol, por fati nuk ka qenë në anën e tyre. Meritë për humbjen minimale të bjellorusëve ka edhe portieri Veremko, i cili ka shmangur të paktën tre gola të sigurt. Bjellorusët, ndoshta të eklipsuar edhe nga forma e mirë e kombëtare sonë, shfaqen larg pritshmërive dhe nuk rrezikojnë asnjë seriozisht portën e Ujkanit me përjashtim të dy rasteve në pjesën e dytë.

Kuqezinjtë e nisin menjëherë në sulm dhe arrijnë të gjejnë golin me Salihin, i cili sipas gjyqtarit e ka marrë topin me dorë.

Gjithsesi, pamjet televizive nuk konfirmojnë plotësisht vendimin e gjyqtarit suedez, që ndëshkon me karton të verdhë Salihin. Skela shfaqet në formë të mirë dhe furnizon me topa vazhdimisht sulmuesit. I afrohet golit shumë Bulku kur lëshon një predhë nga distanca e largët, me portierin që i mohon festën Shqipërisë. Më pas është Cana që provona nga distanca dhe topi përplaset në traversë. Rastin e fundit e ka Salihi, që nuk arrin të shënjestrojë kuadratin. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjeve me shifrat 0-0.

Në pjesën e dytë, është sërish Shqipëria që merr iniciativën dhe ka frena e lojës, ndërsa bjellorusët nuk arrijnë të reagojnë në asnjë moment siç duhet. Për t’u përmendur edhe fakti se Bjellorusia vinte në këtë sfidë me shumë mungesa. Pjesa e dytë është kryesisht një dialog i vazhdueshëm mes Salihit dhe portierit Veremko, që pret dy herë goditjet e sulmuesit në portë, ndërsa në një tjetër rast i vjen në ndihmë shtylla, që i mohon golin shkodranit. Në një tjetër moment portieri mik pret në mënyrë instiktive një gjuajtje të fuqishme të Agollit. Në minutën e 62-të vjen edhe goli vendimtare, me Salihin që përfiton nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësve dhe portierit bjellorus dhe gjendet në vendin e duhur në momentin e duhur. Nuk mendohet dhe godet me të parën, duke e çuar topin në trekëndësh dhe tifozët në delir. Më pas shkodrani shënon edhe një tjetër gol, por zihet në pozicion jashtë loje. Bjellorusët nuk duken në asnjë çast në fushë, me përjashtim të dy momenteve të vështira, që zgjidhen për fatin e mirë pa pasoja për Shqipërinë. Ka vend për Bakaj e Duron, që zëvendësojnë Bogdanin dhe Skelën. Në fund, kuqezinjtë thjesht administrojnë lojën deri në vërshëllimin e trefishtë të gjyqtarit suedez. Kësisoj, Shqipëria merr një fitore të çmuar dhe hakmerret për atë humbje të hidhur 2-0 në Minsk në 12 tetorin e 2010-s.

Shqipëri – Bjellorusi 1-0

Shënues: Salihi 62′

Shqipëria: Ujkani, Lila, Cana, Teli, Vangjeli, Agolli, Lala, Bulku, Skela (80’ Duro), Salihi (93’ Muzaka), Bogdani (75’ Bakaj).

Trajner: Josip Kuzhe

Bjellorusia: Veremko, Kulchiy (62’ Bychenok), Martynovich, Shitov, Molosh, Tigorev, Omelyanchuk, V. Hleb, Krivets (46’ Kovel), Putilo (82’ Sitko), Kislyak.

Trajner: Bernd Shtange

Gjyqtarët: Markus Strömbergsson (Suedi), Magnus Sjöblom, Daniel Värnmark

Minutat

94’ Gjyqtari suedez Strömbergsson vërshëllen tre herë për të sinjalizuar përfundimin e ndeshjes. Mbyllet 1-0.

92’ Po shkohet drejt fundit të minutave shtesë të akorduar nga gjyqtari i katërt.

83’ Gjithçka sillet rreth Salihit, sulmuesi ka një tjetër rast për gol. Duro kroson në zonë me topi që përplaste në këmbët e Salihit i vetëm para portës. Duket se sulmuesi është dëmtuar në momentin e fundit dhe nuk e ka shtyrë topin në rrjetë.

77’ Salihi gjen sërish golin, pas një gjuajtje me kokë, por është në pozicion jashtë loje.

74’ Çfarë rasti ka humbur Salihi. Aksion perfekt i kuqezinjve, me Bulkun që jep nja asist të përkryer për Salihin, që godet, por topi përplaset në shtyllë. E pabesueshme!

72’ Bjellorusia rrezikon seriozisht portën e Shqipërisë. Në fillim me një gjuajtje nga distanca, që pritet nga Ujkani. Më pas është Kovel që godet pas një aksioni të bukur, pret në dy kohë portieri.

62’ GOOOOOOOOOL!!! Hamdi Salihi kalon në avantazh Shqipërinë. Sulmuesi përfiton nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësve dhe portierit bjellorus dhe gjendet në vendin e duhur në momentin e duhur. Nuk mendohet asnjë çast, godet me të parën dhe e çon topin në trekëndësh, duke çuar tifozët në delir. (1-0)

56’ Salihi vazhdon dialogun me portierin bjellorus, që pret një gjuajtje të shkodranit me kokë.

49’ SuperVeremko shndërrohet në makth për Shqipërinë. Në fillim devijon në momentin e fundit topin e goditur nga Salihi me kokë që i drejtohej portës. Pak sekonda më pas ndal me çfarë të mundë një gjuajtje të Agollit. Dy raste shumë të mira.

47’ Ujkani bën një gafë, që mund t’i kushtonte kuqezinjve, kur topi i ikën nga duart. Sulmuesi bjellorus nuk arrin të përfitojë duke simuluar një faull dhe duke u ndëshkuar me karton të verdhë.

Pjesa e dytë

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 0-0.

42’ Kuqezinjtë të papërmbajtshëm, Salihi prek golin. Shkodrani merr një asist të shkëlqyer nga Bogdani dhe e kalon topin mbi portierin Veremko, por për fat të keq sfera përfundon ngjitur me shtyllën pingule.

41’ Shqipëria vërtet e pafat! Gjuajtjen e Canës nga goditja e dënimit e ndal vetëm traversa, me portierin Veremko të mundur.

38’ Moment i rrezikshëm para portës bjelloruse, Skela fut një krosim në zonë, Salihi për përfiton një devijim i mbrojtësve. Tentativa e tij në akrobaci nuk gjen kuadratin.

37’ Cana ndal një kundërsulm të rrezikshëm në mënyrë të parregullt, ndëshkohet me karton të verdhë. Bjellorusët provojnë nga goditja e dënimit të gjejnë portën por pa sukses.

29’ Tjetër rast. Skela tenton portën nga goditja e dënimit, pret me vështirësi portieri Veremko. Një minutë më pas edhe Salihi provon nga distanca, pret sërish portieri.

28’ Salihi i vetëm me portierin por për anësorin është në pozicion jashtë loje.

24’ Skela nga një goditje dënimi, kros në zonë. Dy kuqezinj nuk merren vesh dhe përplasen me njëri-tjetrin në duel ajror, duke mos shtyrë topin në rrjetë. Shqipëria po dominon lojën. Miqtë nuk kanë ngacmuar asnjë herë portierin Ujkani.

17’ Salihi shënon gol pas një aksioni të bukur, por gjyqtari e anulon dhe ndëshkon sulmuesin me karton të verdhë, për një prekje të topit me dorë.

6’ Dy raste të shkëlqyer për gol, por kuqezinjtë janë të pafat. Fillimisht, Salihi fiton një goditje këndi, që ekzekutohet nga Skela. Topi në zonë gjen Canën, i cili godet me të majtën, por një nga mbrojtësit shpëton në vijën fatale. Vetëm pak sekonda më pas Bulku lëshon një predhë nga 30 metra. Portieri mik shpëton portën me një hedhje spektakolare.

3’ Shqipëria shfaqte rrezikshëm në zonën e Bjellorusisë. Lila hedh një top në zonë, aty ku Bogdani për pak nuk e godet me kokë në një pozicion shumë të favorshëm.

Deklaratat pas ndeshjes

Hamdi Salihi

“Ndihem as më shumë e as më pak se çdo shqiptar që ka qenë i pranishëm në stadium dhe të gjithë ata që na kanë ndjekur. Jam thjesht i mrekulluar dhe i falënderoj që të gjithë, kjo tregon se jemi një komb, jemi një Shqipëri dhe jemi gjithmonë të gjithë bashkë. A ka qenë ky goli më i bukur? Është goli më i rëndësishëm mund të them. Unë falënderoj Zotin dhe të gjithë këto tifozë që ishin në stadium dhe na mbështetën”.

Erjon Bogdani

“Unë them që gjithë ekipi luajti ndaj Bjellorusisë, e kemi merituar fitoren dhe e dinim se kundërshtari që kishim përballë ishte mjaft i vështirë, as Franca apo edhe Rumania nuk kanë arritur t’i shënojnë gol, ndërsa ne arritëm të krijonim mbi dhjetë raste të pastra për gol. Është shumë mirë edhe kështu si shkuan gjërat, fituam me meritë dhe luajtëm shumë mirë”.

Samir Ujkani

“Urimet janë të gjitha për Shqipërinë, Kosovën, Tetovën. Jemi shumë të kënaqur dhe e kemi merituar këtë fitore. E kush e sheh këtë publik të shkëlqyer, gjithçka është super”.

Altin Lala

“Ishte një ndeshje mjaft e mirë e gjithë skuadrës. E kemi merituar fitoren, madje duhet të kishim shënuar më tepër gola, por edhe kështu tifozët mbetën të kënaqur. Edhe ne jemi shumë të kënaqur, çdo gjë është e mrekullueshme sot. Natyrisht, unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë tifozët na kanë mbështetur fuqishëm me Bjellorusinë, unë shpresoj që edhe në ndeshjet e tjera të vazhdojnë të na mbështesin në këtë mënyrë.

Ervin Skela

“Unë kam vite me Kombëtaren, por të them të drejtën kjo ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme për mua por dhe gjithë ekipin. Kjo sepse u fol shumë për këtë ndeshje përpara dhe vazhdimisht. Megjithatë, jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë lojë që kemi zhvilluar sot dhe mendoj se ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme që kemi zhvilluar. Më pranë kualifikimit? Ne shqiptarët kështu e kemi, nëse fitojmë një ndeshje ose ndodhemi të parët ose të dytët në grup për një moment, gjithnjë bëhemi shumë euforik, por unë do të thosha se ne duhet të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris edhe një herë, po dhamë maksimumin për këtë fanellë e për ekipin kombëtar secili prej nesh atëherë ne bëjmë edhe mrekullira”.