Çmimi i naftës dhe ai i benzinës ka shënuar një rekord të ri historik në tregun tonë të karburanteve duke reflektuar kështu ecurinë e bursave ndërkombëtare. Në disa prej pikave të karburanteve në kryeqytet nafta u shit sot me 176 lekë për litër, ndërsa benzina arriti nivelin e 178 lekëve për litër, duke shënuar një rritje prej 5 lekësh, kundrejt një dite më parë.

Importuesit e karburanteve shpjegojnë se rritja e re e cmimit është pasojë e tregjeve botërore. Në bursa nafta ka arritur nivelin më të lartë të 30 muajve të fundit, kështu në tregjet aziatike ari i zi është kuotuar me 112.9 dollarë për fuci, duke shënuar një rritje prej 19 cent, ndërsa në bursat europiane një fuci nafte është këmbyer me 125.7 dollarë, ose me një rritje prej 0,7%. Cmimi i naftës ka pësuar rritje të vazhdueshme gjatë muajve të fundit në botë, gjë që është reflektuar edhe në tregun tonë të karburanteve.

Shtrenjtimi i naftës dhe benzinës ka qenë një ndër faktorët e rritjes së kostos së jetesës. Instituti i Statistikave ka konstatuar se vetëm muajin e kaluar, çmimi i naftës u rrit me 4.2% dhe ai i benzinës me 3.7%.