Nga Alexander Arvizu

Sa i përket rolit të komunitetit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara në këto zgjedhje, dua të jem shumë i qartë. Ne nuk jemi arbitri dhe as gjyqtari këtu. Ne nuk jemi arbitri dhe as gjyqtari këtu. Ne nuk kemi një rol zyrtar në këto zgjedhje. Ky rol është rezervuar për komisionet e ndryshme elektrorale, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe për Kolegjin Elektoral. Ndonëse ODIHR-i dhe komuniteti ndërkombëtar kanë një interes të thellë dhe të vendosur për zgjedhjet. ODIHR dhe të tjerët do t’i vëzhgojnë dhe vlerësojnë ato. Me raste, do të ndërhyjmë në përpjekje për të ndihmuar ku të mundemi. Por, nuk jemi arbitri. Kodi elektoral qartësisht dhe qëllimisht ua ngarkon barrën për mirëdrejtimin e zgjedhjeve mbi vetë partitë politike. Është detyrë për të gjithë partitë kryesore që të bëjnë maksimunin e tyre që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në këtë proces zgjedhor.

Në vitin 2008, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste arritën një konsensus të gjerë dhe të madh për kodin zgjedhor aktual. Tani jemi vetëm pak javë larg zgjedhjeve të 8 majit. Varet sidomos nga dy partitë kryesore që të bëjnë që kodi zgjedhor të funksionojë në mbështetje të zgjedhjeve të mira. Të dyja këto parti krijuan një sistem zgjedhor që i vendos ato në qendër të procesit. Prandaj, vetëm përmes pjesëmarrjes konstruktive në të gjitha nivelet e procesit mundet që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 e ka shprehur më së miri këtë në rekomandimin e parë. Jam i sigurt që tani e mbani të gjithë mend, por meqenëse e kam në fjalim, po e lexoj. Aty thuhet, “Partitë duhet të tregojnë vullnetin politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet që ato gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve.” “Ato duhet t’i realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë.”

Por, sikurse zgjedhjet janë vetëm një pjesë e cilësdo demokraci, zgjedhjet e 8 majit janë vetëm një hap i vogël i kalimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe eventualisht integrimit të plotë në komunitetin euro-atlakntik. Në pjesën tjetër të kohës sime këtë pasdite, dëshiroj të shoh përtej zgjedhjeve vendore drejt sfidave me të cilat do të përballet Shqipëria pas zgjedhjeve vendore.
Sigurisht, zgjedhjet janë jashtëzakonisht emocionuese për t’u ndjekur. Për entuziastët politikë, si unë, është e lehtë të mbërthen nga drama e fushatës, të përqëndrohen në lëvizjet e vrullshme që zhvillohen gjatë ditës ose orë pas ore. Veçanërisht në garën e ngushtë siç po shohim në Tiranë, mes kandidatëve me përvojë e të motivuar, është e thjeshtë të përqendrohesh më shumë në garën sa të harrosh qëllimin përfundimtar.

Sikurse e thashë dje në Elbasan, ne nuk duhet të harrojmë se politika dhe fushatat politike janë thjesht një mjet për të arritur qëllimin dhe ky qëllim është qeverisja e mirë që i shërben interesit më të gjerë të shoqërisë. Mosmarrëveshjet mbi politikat janë një gjë e mirë dhe e nevojshme – debati i qytetëruar është një pjesë e vlefshme e çdo demokracie dhe diçka që mund të ndihmojë në ndërtimin e politikave më të mira me mbështetje më të gjerë. Por, nëse çohet në ekstrem, kjo partishmëri mund të shpjerë në bllokim dhe në paralizë. Partishmëria e pakontrolluar praktikisht mund ta shkatërrojë një vend me plot kuptimin e fjalës, duke e bërë thuajse të pamundur që njërëzit që kanë dallime të ligjshme, por të kapërcyeshme, të ulen se bashku dhe të arrijnë një formë kompromisi. Etiketimi i kundërshtarëve si vrasës, si hajdut dhe me raste edhe më keq, i vjedh vendit debatin inteligjent dhe serioz. Dhe pikërisht debati inteligjent dhe serioz është ai që nevojitet tani në mënyrë që të ballafaqohen me sfidat shumë të vërteta dhe shumë të mëdha përballë Shqipërisë. Dua ta citoj përsëri Presidentin tim mbi temën e retorikës së pakontrolluar, “Ajo ashpërson kulturën tonë, dhe ç’është më e keqja, mund t’iu dërgoje sinjale elementëve më ekstremë të shoqërisë sonë që ndoshta dhuna është një përgjigje e justifikueshme.” ….

Sigurisht, partitë politike dhe grupet e interesit nuk janë të gjitha të këqija – në fakt në shumë mënyra partitë e zhvilluara dhe grupet e zhvilluara të interesit, përfshirë shoqërinë civile, formojnë bazën e çdo shoqërie moderne demokratike. Dijetarët politikë besojnë që zhvillimi i vërtetë demokratik është thuajse i pamundur pa parti politike deri diku të zhvilluara. Për këtë arsye, Qeveria e Shteteve të Bashkuara, duke punuar përmes organizatave jo qeveritare si Instituti Demokratik Kombëtar, njohur si NDI dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan, ose IRI, i përqendron përpjekjet promovuese të demokracisë në shumë vende në përpjekje parti-ndërtuese. Në vende të tilla si Shqipëria, partitë politike kanë provuar që janë tejet efektive në ofrimin e zërit të individëve të cilët janë mbledhur së bashku me një qëllim të përbashkët. Duke punuar veçmas këto zëra ndoshta nuk do të dëgjoheshin, por sëbashku me mijëra ose miliona njerëz të tjerë të të njëjtës mendje, ato mund të krijojnë një forcë të pandalshme. Në historinë moderne, partitë politike kanë provuar se janë mjeti i vetëm më efektiv për mbledhjen se bashku dhe artikulimin e aspiratave politike të popullit. Por sërish, ne duhet të kujtojmë që partitë dhe partishmëria nuk bëjnë shumë nëse nuk i shpien ata herët a vonë drejt politikave që sjellin përfitime për shoqërinë si të tërë.
Dy javë më parë, në ceremoninë hapëse të fushatës elektorale për Partinë Socialiste, Kryetari i Bashkisë Rama, tha gjatë fjalimit të tij se “politika të bëhet forca e promovimit të ideve, projekteve, ku ne të jemi frymëzimi i bashkëjetesës qytetare mes shqiptarëve.” Bie plotësisht dakord me këtë. Debati politik, zgjedhjet dhe partishmëria nuk janë mjete ose qëllime në vetvete. Përkundrazi ato janë mjeti për qëllimin, një mënyrë që udhëheqësit tanë politikë të krijojnë dhe të bien dakord me idetë dhe politikat që i sjellin përfitim shoqërisë si e tërë, dhe që fuqizojnë vendet dhe shoqëritë tona. Në Shqipëri, është kjo lloj qeverisjeje në përfitim të njerëzve, prej qeverive të njëpasnjëshme demokratike dhe socialiste, që e ka nxjerrë Shqipërinë nga njëri prej vendeve më të varfëra, më të izoluara në të gjithë botën, për t’u bërë një anëtar demokratik i NATO-s me ritmin më të lartë të zhvillimit ekonomik në kontinent kohët e fundit.
Fatkeqësisht gjatë dy viteve të shkuar ky përparim është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Sikurse pasqyrohet në Opinionin e Këshillit të Europës për Shqipërinë të nëntorit 2010, nuk është bërë mjaftueshëm që prej vitit 2009 për ta lëvizur Shqipërinë përpara drejt shtegut të integrimit europian. Reformat gjyqësore, elektorale dhe të tjera janë bllokuar.

Ka ardhur koha që udhëheqësit politikë të Shqipërisë të lënë mënjanë dallimet mes tyre, dhe sërish të përqëndrojnë përpjekjet e tyre për të ardhmen e Shqipërisë.
Siç mund të kuptohet, fokusi ynë gjatë gjashtë javëve të ardhshme do të jetë mbi përgatitjen dhe certifikimin e zgjedhjeve vendore. Sapo t’i lemë pas zgjedhjet, u bëj thirrje të gjithë partive dhe udhëheqëve politikë, që media dhe shoqëria civile të përqendrohen rishtasi për të ardhmen europiane të Shqipërisë. I bëj thirrje gjithsecilit të angazhohet që të bëjë punën e madhe të nevojshme ndërmarrë vendimet e vështira dhe kompromisin e nevojshëm që ta çojnë vendin përpara. Dhe siç e thashë, vetëm shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre të zgjedhur mund të vendosin mbi përparësitë e vendit për shkuarjen përpara. Por, dëshiroj të ofroj me përulje këto sugjerimë si pikënisjeje të mundshme. Të gjitha këto u theksuan në Raportin tonë për të Drejtat e Njeriut, të publikuar të premten e shkuar:

Çështja e parë ka të bëjë me imunitetin. Shqipëria ka bërë përparim mbrësëlënës gjatë dhjetë viteve të fundit në luftimin e korrupsionit. Zbatimi i suksesshëm i Programit të Pragut të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) ka bërë shumë për të zvogëluar mundësitë për korrupsion, veçanërisht në nivelet e mesme të qeverisë. Por ka nevojë për më shumë përparim. Çelësi për ta lëvizur Shqipërinë në nivelin tjetër të luftës kundër korrupsionit është heqja e dispozitave të përgjithshme të imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Ndonëse imuniteti prej ndjekjes dhe hetimit mund të ketë luajtur një rol të dobishëm dhe të nevojshëm dikur në historinë e Shqipërisë, nuk e luajnë më këtë. Përkundrazi është shndërruar në një mburojë prapa të cilës shpesh fshihen zyrtarë të korruptuar. Askush nuk është i imunizuar nga ligji. Të gjithë qëndrojnë të barabartë përpara ligjit. Nxis Parlamentin të ndryshojë Kushtetutën për të hequr mbrojtjen përmes imunitetit. Duke e bërë këtë, kjo do t’u japë shqiptarëve më shumë besim në sektorin e tyre gjyqësor dhe në zyrtarët e zgjedhur, si dhe do ta lejojë vendin të ecë përpara në luftën kundër korrupsionit.

Çështja e dytë ka të bëjë me TVSH. Televizioni shtetëror me të drejtë i përket të gjithë popullit të Shqipërisë, dhe jo vetëm njërës parti politike a tjetrës. Media e Shqipërisë pasqyron shumë kënvështrime të ndryshme, por fakti është që shumë organe mediatike në Shqipëri – si të shkruara dhe ato elektronike – nuk janë me të vërtetë të pavarur dhe janë shumë shpesh nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të partive politike apo të interesave të biznesit. Prandaj, nxis qeverinë dhe opozitën që të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë që ta bëjnë televizionin shtetëror me të vërtetë një stacion të pavarur, të lirë prej ndikimeve të jashtme politike dhe që iu shërben nevojave të të gjithë shqiptarëve. Shqipëria dëshpërimisht ka nevojë për burime të pavarura dhe të besueshme informacioni – një hapi i parë i mirë do të ishte vendosja TVSH-në nën drejtimin e një bordi të pavarur drejtorësh, me një buxhet të pavarur.

Çështja e tretë ka të bëjë me reforma për token. Gjatë këtyre katër muajve që kur kam mbërritur në Shqipëri, njëra prej gjërave të pakta mbi të cilët duket se të gjithë thuajse bien dakord është nevoja për reform e tokës, për tapi të qarta dhe pronësinë e tokës. Banka Botërore, USAID-i dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe donatorë e kanë identifikuar gjithashtu këtë si njërën prej nevojave më urgjente të Shqipërisë. Nga veriu në jug, nga qytetet e mëdha e deri te fshatrat e vegjël, dhe nga bizneset e mëdha deri te familjet më të vogla, mungesa e të drejtave të qarta të pronësisë dhe paaftësia për të siguruar me lehtësi tapinë mbi tokën është aktualisht pengesa e vetme më e madhe për investime më të mëdha të huaja në Shqipëri. Së bashku me korrupsionin, vështirësia për të blerë ose për të siguruar pronësi të qartë dhe të pasfidueshme, në mënyrë të panevojshme tremb tej mase shumë investitorë të huaj dhe shqiptarë. E kuptoj fare mirë se kjo është një çështje e vështirë për t’u zgjidhur. Shumë prona pretendohen prej një shumëfish njerëzish, dhe gjetja e zgjidhjeve të leverdishme për të dy palët do të jetë tepër e vështirë. Por, nëse Shqipëria do që të konkurrojë sukesshëm me fqinjët e saj për investime të huaja dhe t’u japë drejtësi qindra e mijëra shqiptarëve që nuk janë në gjendje të sigurojnë të drejta të qarta mbi pronën, qeveria dhe parlamenti duhet të gjejnë një mënyrë për ta trajtuar këtë çështje.

Çështja e katërt – janë vetëm pesë ndaj thuajse mbaruam – është reforma gjyqësore. Ndoshta duhej ta kisha mbuluar këtë subjekt të parin, për shkak se pa një gjyqësor të efektshëm e të pavarur, asnjë vend nuk mund ta luftojë korrupsionin ose të sqarojë të drejtën e pronës. Por, për dy vite, sektori gjyqësor shqiptar është dëmtuar prej pamundësisë së parlamentit për të miratuar reformat kritike të nevojshme, si Ligji për Konferencën Gjyqësore dhe Ligji për Gjykatat Administrative. Një Kod i ri i Procedurës Penale është në proces hartimi – një kod që do të fuqizojë dhe do të modernizojë në mënyrë dramatike aftësinë e sektorit gjyqësor për të zbatuar në mënyrë efektive ligjin. Ndonëse hartimi i një kodi të tillë kërkon kohë, qeveria ime është e angazhuar të punojë me autoritet shqiptare për të ndihmuar që ky kod i ri të bëhet realitet. Veç kësaj, nxis partitë politike, Parlamentin, dhe Presidentin e Republikës që të riangazhohen ndaj parimeve të një gjyqësori dhe prokurorie të pavarur, të çliruar prej ndikimeve të jashtme politike. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të tjerë, së bashku me riangazhimin ndaj parimeve të një gjyqësori dhe prokurorie të pavarur, mund të bëjnë më shumë se ndoshta çdo hap tjetër përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe do ta vendosë Shqipërinë përsëri në mënyrë të qëndrueshme në rrugën drejt BE-së.

Çështja e pestë dhe e fundit që po ngre për shqyrtim është një sistem elektoral më pak partiak. Jemi kthyer prapë dhe kthehemi tek zgjedhjet dhe sistemi elektoral në Shqipëri. Kodi aktual elektoral e vendos barrën e zhvillimit të zgjedhjeve të mira mbi vetë partitë politike. E kuptoj se përse është ngritur një sistem i tillë – kush tjetër mund ta vëzhgojë më mirë dhe ta bëjë këtë më me ndershmëri se sa pala kundërshtare? Por në periudhën afatgjatë, ky lloj sistemi elektoral nuk bën asgjë më shumë sesa të krijojë një proces të tërë elektoral të ndërtuar mbi mosbesimin dhe dyshimin reciprok. Vetë sistemi i jep secilës palë stimulin për të bllokuar dhe penguar sepse secila parti ka fuqinë për të penguar të gjithë procesin elektoral. Duke u kthyer tek Xhejms Medison dhe Letrat e Federalistit, në vitin 1787 Medisoni shkroi se: “Kudo dëgjohen ankesa nga qytetarët tanë më të kujdesshëm dhe më virtuozë…se e mira publike shpërfillet në konfliktet mes partive rivale. Asnjë njeri nuk lejohet të jetë gjykatës për çështjen e tij, pasi interesi i tij do të ndikonte në gjykimin e tij, dhe, ka të ngjarë, të korruptonte integritetin e tij. Për të njëjtën, madje për asye më të madhe, një grup burrash nuk janë të përshtatshëm që të jenë njëherazi gjykatës dhe palë në të njëjtën kohë”. Por kjo është saktësisht ajo që bën kodi zgjedhor – i bën partitë politike paditës, të paditur, gjykatës dhe juri – të gjithë në të njëjtin gjyq. Në vlerësimin e tij përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2009, ODIHR-i me të drejtë citoi mungesën e vullnetit politik nga ana e partive politike si pengesën kryesore që zgjedhjet të arrijnë plotësisht angazhimet e Shqipërisë ndaj OSBE-së. Këtu citoj nga vetë raporti: “…përmirësimet e konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit lidhur me numërimin e votave dhe hartimin e tabelave të rezultateve, gjë që përkohësisht bllokoi procesin e numërimit në disa zona, si edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore. Këto veprime të partive politike lëkundën besimin e publikut në procesin zgjedhor”. Prandaj i nxis partitë politike të gjejnë mënyrat për ta zhvendosur sistemin politik shqiptar larg proceseve të administruara nga partitë më të varur në nëpunës civilë neutralë apo vullnetarë, pa lidhje me asnjë prej partive.

Këto janë shumë gjëra për t’u menduar. Sigurisht nuk është e lehtë, përndryshe do ishin bërë deri tani. Por besoj se me vullnetin e duhur, të gjitha këto propozime janë të arritshme, dhe unë besoj që gëzojnë mbështetje të gjerë. Shqipëria ka bërë kaq shumë përparim gjatë 20 viteve të shkuar. Kur nisa karrierën time në Shërbimin Diplomatik në vitin 1981, të përfytyroje Shqipërinë si një vend anëtar të NATO-s, me të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën të udhëtojnë lirisht në Europë apo duke pasur qeverinë shqiptare që fton vëzhguesit e OSBE-së të vazhgojnë zgjedhjet demokratike, ishin thjesht të paimagjinueshme. Është e lehtë t’i marrim këto gjëra për të mirëqena. Por, ka ende më shumë që Shqipëria mund të arrijë. Kjo është ajo që dëgjoj kur udhëtoj nëpër vend dhe kur dëgjoj se çfarë kanë për të thenë shqiptarët. Po, shumë shqiptarë më kanë thënë, ne kemi bërë arritje më mëdha dhe jemi shumë krenarë. Por ne duam të bëjmë këto dhe më shumë. Do ta mbyll me një citim tjetër të një presidenti amerikan, kjo është marrë nga Abraham Linkolni. Ka qenë fjalim i Presidentit Linkoln përpara Kongresit pak pas nisjes së Luftës Civile. I nxiti dëgjuesit e tij të mendojnë në mënyra të reja dhe të ndryshme mbi sfidat me të cilat po përballej vendi. Stilet e vjetra të të menduarit, paralajmëroi ai, nuk mund ta ndihmonin dot vendin që të përballej me këtë realitet të ri. “Dogmat për të shkuarën e qetë”, – tha ai, “janë të papërshtatshme për të tashmen e stuhishme. Shansi është stivosur lart me vështirësi dhe ne duhet të ngrihemi – në nivelin e këtij shansi. Meqë rasti ynë është i ri, duhet edhe të mendojmë ndryshe dhe duhet të veprojmë ndryshe.”

Sot, Shqipëria gjithashtu përballet me një moment të ngjashëm. Ndonëse sigurisht jo aq të tmerrshëm si ai me të cilin u përballën Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile, megjithatë është një kohë kritike për Shqipërinë. Është e tillë sepse luftërat e shfrenuara politike dhe mungesa e skrupujve partiakë të së shkuarës tani shërben vetëm për ta mbajtur pas Shqipërinë dhe për të penguar vendin në arritjen e potencialit të tij të plotë. Unë kam besim të plotë në aftësinë e popullit shqiptar dhe të udhëheqëve të tyre për t’u përballur dhe për të ngadhënjyer mbi këto sfida të vështira. Por, populli shqiptar duhet të kërkojë që politikanët të tregojnë që kanë vullnetin politik dhe kurajon politike për të vepruar kështu. Njëzetë vite me parë shqiptarët përmbysën diktaturën më të egër komuniste në Europë dhe hapën portën drej të ardhmes euro-atlantike. Sfida përpara –kaq e qartë dhe e pakapshme – është të vënë mënjanë ndryshimet partiake dhe të angazhohen edhe një herë për të ardhmen e Shqipërisë, për hir të të të gjithë shqiptarëve.

* Fjalimi i ambasadorit i shkurtuar