Specialistët e administratës tatimore kanë nisur nga puna për hartimin e formularit për deklarimin e të ardhurave personale nga qytetarët shqiptarë. Në këtë formular që po hartohet, do të deklarojnë të ardhurat të gjithë ata qytetarë që kanë të ardhura vjetore deri në vlerën e 200 mijë lekëve të reja në vit (apo 2 milionë të vjetra).

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve bëjnë të ditur se të ardhurat deri në 200 mijë lekë të reja në një vit të plotë, janë detyrim për t’u deklaruar nga çdo qytetar shqiptar, nën këtë vlerë asnjë person nuk do të deklarojë të ardhurat personale. Specialistët janë ende në diskutimin e varianteve të formularit dhe shumës së detyrueshme për t’u deklaruar, por mundësia më e madhe është për vlerën e 2 milionë lekëve të vjetra.

Qytetarët që kanë të ardhurave vjetore personale nën vlerën e 2 milionë lekëve, nuk do të jenë të detyruar të plotësojnë formularin e të ardhurave personale.

Sipas specialistëve që po hartojnë formularin, do të jetë i thjeshtë klasifikimi i personave që janë të detyruar të zbatojnë këtë ligj, pasi tashmë pagat merren nga sistemi bankar dhe të dhënat janë në sistem.

Deklarimi vjetor i të ardhurave personale do të realizohet sipas ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, i cili hyri në fuqi prej datës 1 prill të këtij viti, ndërkohë që deklarimi i parë, sipas ligjit të ri, do të gjejë njohje që prej fillimit të muajit maj të po këtij viti, ndaj edhe specialistët e administratës tatimore janë duke punuar për hartimin e formularit të deklarimit të të ardhurave personale. Deklarimi vjetor i të ardhurave personale, sipas ligjit nr. 10343, datë 28.10.2010 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438 “Për tatimin mbi të ardhurat”, datë 28.12.1998, bën fjalë për detyrimin që kanë individët për të përgatitur dhe paraqitur deklaratën individuale vjetore të të ardhurave. Ligji i ri parashikon që deklarata e pasurisë duhet të përmbajë informacion në lidhje me të ardhurën bruto të realizuar, shpenzimet e zbritshme dhe tatimin e paguar gjatë periudhës së raportuar. Kjo e fundit duhet paraqitur pranë autoriteteve tatimore brenda datës 30 prill të këtij viti dhe që mund të dërgohet dorazi, me postë ose nëpërmjet postës elektronike tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve më e afërt. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Ministria e Financave brenda gjashtë muajve, duke filluar nga data e aprovimit, duhet të përgatisë të gjitha instruksionet dhe udhëzimet, duke përfshirë edhe formularët përkatës që duhen plotësuar.

Çfarë deklarohet nga një person si e ardhur personale

Një qytetar që deklaron të ardhurat, i raporton shtetit për të gjitha të ardhurat që i vijnë atij gjatë një viti, si nga paga mujore, të ardhurat nga qiraja, shitja e ndonjë prone etj. Çdo e ardhur që sigurohet brenda një afati kohor prej një viti, do të hidhet në formularin e deklarimit të të ardhurave. Deklarata vjetore e të ardhurave personale përfshin një sërë elementesh, të cilët duhet të bëjnë pjesë në deklaratën e pasurisë, për t’u bërë e vlefshme. Kështu, sipas kategorizimeve, të ardhurat e tatueshme përfshijnë të ardhurat bruto nga punësimi; të ardhurat nga aktiviteti i të vetëpunësuarve; dividendët; të ardhurat nga qiraja; fitimi nga transaksionet e pasurive të patundshme; interesat nga depozitat ose nga huat e dhëna; licencat dhe të drejtat ekskluzive të autorit; donacionet e marra; të ardhurat e realizuara jashtë Shqipërisë; si dhe të ardhura të tjera. Ndërkaq, për të pasur një vlerë të saktë të pasurisë, duhet të bëhet një zbritje e të ardhurave për të parë se sa shkon në vlera reale pasuria e një qytetari. Ndërsa në shpenzimet e zbritshme përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore të mbajtura nga paga, ose të paguara në formë vullnetare tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore Shtetërore; kontribute shoqërore të paguara në skemat private të pensioneve në përputhje me ligjin respektiv; interesi i paguar për kredi për qëllime arsimimi të tatimpaguesit, edhe për fëmijët e tij ose saj, edhe për njerëz të tjerë nën kujdestarinë e tij ose saj; shpenzime për kujdesin mjekësor të bëra për tatimpaguesin, edhe për fëmijët e tij ose saj, edhe për njerëz të tjerë nën kujdestarinë e tij ose saj për atë shumë të pambuluar nga sigurimet shëndetësore. Qytetarët duhet të sigurohen se të ardhurat e zbritshme që nga data 1 e këtij muaji, duhet të kërkojnë një faturë të rregullt fiskale, sepse ajo do t’i bashkëngjitet deklaratës vjetore.

Cilët janë personat që s’do të deklarojnë të ardhurat në shtet

Ligji i ri përmban edhe një numër të caktuar individësh të përjashtuar, të cilët nuk mund të bëjnë pjesë tek deklarimi vjetor i të ardhurave personale. Personat e përjashtuar nga ky ligj janë ata që kanë të ardhura të kufizuara si më poshtë. Personat, që ky ligj nuk u kërkon të përgatisin deklaratën vjetore të të ardhurave me anë të tatimpaguesit individual që realizojnë një të ardhur vjetore nën 200 mijë lekë; tatimpaguesit e regjistruar si të vetëpunësuar që nuk gjenerojnë më shumë se 2 mijë lekë; tatimpaguesit individualë që realizojnë të ardhura vetëm nga punësimi për të cilin i është mbajtur tatimi mbi të ardhurat personale; tatimpaguesit individualë që përfitojnë nga skema e pensioneve shtetërore. Këta individë përjashtohen nga deklarimi i pasurisë, ndërkohë që muaji prill i këtij viti do të gjejë zbatim të këtij ligji të ndryshuar.

Ja kushtet e deklarimit të të ardhurave personale:

Të ardhurat e tatueshme

1.  Të ardhurat bruto nga punësimi

2.  Të ardhurat nga aktiviteti i të vetëpunësuarve

3.   Dividendët

4.   Të ardhurat nga qiraja

5.  Fitimi nga transaksionet e pasurive të patundshme

6.  Interesat nga depozitat ose nga huat e dhëna

7.  Licencat dhe të drejtat ekskluzive të autorit

8.  Donacionet e marra

9.  Të ardhurat e realizuara jashtë Shqipërisë

10.  Të ardhura të tjera

Shpenzimet e zbritshme:

1.  Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga paga

2.  Kontribute shoqërore të paguara në skemat private të pensioneve

3.  Interesi i paguar për kredi për qëllime arsimimi të tatimpaguesit

4.  Shpenzime për kujdesin mjekësor të bëra për tatimpaguesin