Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, portretizon dy liderët politikë shqiptarë.Në krah të dy ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë, Ettore Sequi i BE-së dhe Eugen Volfarth, i OSBE-së, Arvizu flet për tiparet e kreut të PS-së. “Mendoj se është një njeri shumë energjik. Kemi pasur disa diskutime, disa prej tyre të gjata. E admiroj faktin që në shkollim është artist. Dukshëm është një individ shumë pasionant. Do të vëreja që vendimi i tij për të kandiduar për kryebashkiak, ndërkohë që është kreu i Partisë Socialiste, ka qenë vendim i debatuar edhe mes mbështetësve të tij. Ajo që kam vërejtur vërtet është energjia, entuziazmi, dhe zelli me të cilin bën fushatë si në Tiranë, ashtu edhe anembanë vendit për të prezantuar njerëzit. Pra, nuk po komentoj vendimin e tij për ta bërë këtë, por kur mendoj gjithçka që po bën, mendoj që ka kurajë. Të shohësh dikë, të jesh i aftë të ndjekësh me atë nivel entuziazmi dhe energjie, me një fjalë të bësh punën e dy njerëzve, do të ishte shumë t’ia kërkoje një personi. Thjesht kandidimi për kryebashkiak apo thjesht prezantimi i kandidatëve anembanë vendit. Është mbresëlënëse”, u shpreh Arvizu për Edi Ramën.

Nga Blendi Fevziu

I pyetur për kryeministrin Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë shprehet se është politikan i zoti.

“Siç e thashë, është udhëheqësi i zgjedhur demokratikisht i një aleati të NATO-s. Si ambasador i Shteteve të Bashkuara këtu, është shumë e rëndësishme të vendoset një marrëdhënie e ngushtë pune edhe këtë kemi bërë. Kam zhvilluar një numër bisedash. Mendoj se është politikan i zoti. Mendoj se ka qenë Kryeministër gjatë një periudhe të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë, tranzicionin e saj politik dhe ndiej se kemi ngritur një raport të mirë, ku mund të jemi të hapur dhe të ndershëm ndaj njëri-tjetrit dhe nuk mund të kërkoj më shumë se kaq”, shprehet Arvizu. Duke iu përgjigjur perceptimeve se ai është më shumë në krah dhe mbështetje të qeverisë, Arvizu thotë se është pozicioni i tij si ambasador që e vendos në komunikim më të shpeshtë me kryeministrin e vendit. “Si Ambasadori Amerikan këtu, unë jam i akredituar pranë qeverisë. Gjithashtu, përfaqësoj edhe popullin e Shteteve të Bashkuara përpos qeverisë ndaj, domosdoshmërisht, do të kem të bëj shumë me kryeministrin e vendit. Por mendoj që ka qenë e padrejtë që të karakterizohej ajo që bënte ambasadori Uidhërs, si një axhendë personale, ashtu siç mendoj se është e padrejtë që disa të portretizojnë veprimet e mia si të tilla. Është pozicioni i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, absolutisht po”, u shpreh Arvizu.

Zgjedhjet

Duke folur për mesazhin që ai po mundohet të japë në këtë fushatë zgjedhore, ambasadori amerikan solli në kujtesë një takim që ka zhvilluar në qytetin e Vlorës me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare. “Të dielën në mbrëmje, pata privilegjin dhe nderin të isha për darkë me një thesar të gjallë kombëtar, shkrimtarin Ismail Kadare. I tregova që do të ishim në Vlorë ditën tjetër për t’u takuar me studentë. E pyeta, “Cili mesazh apo temë mendoni se ka më shumë rendësi të përcillet ?” dhe ai më tha, “Është mesazhi i shpresës. Jepu shpresë.” Ndaj, megjithëse kam folur për këtë, mendoj se ka vlerë për të gjithë shqiptarët. Shiheni këtë si një shans dhe jini optimistë. Sigurisht, ka pasur probleme në të kaluarën. Ndoshta do të ketë disa edhe këtë herë. Por e gjitha kjo është pjesë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në çështjet, në jetën e vendit të tyre. Njerëzit nuk duhet të kenë frikë – nuk duhet të jetë shkak për frikë apo ankth”.