Blendi Shkëmbi dhe Gilman Lika

Blendi Shkëmbi dhe Gilman Lika

Për herë të parë në karrierën e tij futbollistike, kapiteni Blendi Shkëmbi është shumë pranë arritjes së një titulli kampion. Senatori duket i entuziazmuar, pasi po përjeton emocione të forta, por festa sipas tij do të nisë vetëm pas ndeshjes me Vllazninë.Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur në një kampionat që tashmë mban aromë Korçe…
Titulli në prag dhe një ndeshje e komentuar kjo me Tiranën. Si i shikon të gjitha këto Bledi Shkëmbi?
Për mua është një rastësi e bukur që për herë të parë të fitoj një titull dhe pikërisht me ekipin e qytetit tim. Sa i përket ndeshjes me Tiranën, fituam tri pikë me “gjak”. Na ndihmoi edhe fati, por bëmë një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë.
Ndërsa ju gjuanit penalltinë, Presidenti i Republikës, z.Topi, është larguar nga stadiumi.
Dihet që Presidenti është tifoz i Tiranës. Dhe kur ka parë që ekipi i tij u mund, ka preferuar ta lërë stadiumin. Është një veprim që e bëjnë shumë tifozë të tjerë dhe mendoj se këtu nuk ka vend për paragjykime.
Por paragjykimet në fakt nuk i janë ndarë asnjëherë Skënderbeut. Sidomos në javët e fundit ato janë shumëfishuar, madje edhe me akuza për këtë ekip. Ç’mendim keni për këtë situatë?
Ne nuk mund t’i shmangim paragjykimet e të tjerëve. Ata që janë objektivë mund t’i shohin gjërat me gjakftohtësi, madje këtë e panë edhe në ndeshjen me Tiranën. Ne kemi qenë të paragjykuar që nga fillimi i këtij kampionati. Për ata që shohin vetëm errësirë, nuk ia vlen fare të flasim. Ky ekip gjatë këtij sezoni ka treguar se i kishte të gjithë komponentët për të qenë kampion.
Në Laç kanë ndodhur mjaft gjëra, ndërsa dhuna ka qenë kryefjala e ndeshjes me vlonjatët. Mos ndoshta Skënderbeu kishte bërë një pakt të heshtur me Laçin për këtë rezultat, apo duhet të mendojmë diçka tjetër?
Nuk di që Skënderbeu dhe Laçi të kishin bërë marrëveshje. Ne kemi luajtur në Krujë p.sh., dhe kemi humbur. Por nuk mund të themi që Kruja luajti për Flamurtarin. Ekipi i Laçit ka shumë vite që po tregon epërsinë e tij dhe seriozitet për objektivat që ka synuar apo dhe ka arritur. Unë personalisht nuk e quaj dhunë atë që ka ndodhur në Laç. Ato janë skena të njohura për ne, por, nga ana tjetër, besoj se është vetëm një reklamë për Vlorën, asgjë më shumë. Sidoqoftë, ne na duhet të shohim ndeshjet tona për të qenë në top-formë deri në fund.
Ky kampionat ka treguar se “ligjin” e kanë bërë jo më skuadrat e kryeqytetit. A e bëri kjo më të veçantë këtë sezon?
Kjo është e vërtetë. Dy qytete larg kryeqytetit kanë bërë diferencën këtë sezon. Si Korça edhe Vlora i kanë dhënë bukuri këtij kampionati. Prandaj duhet thënë se si ne edhe vlonjatët kemi meritë se zgjuam interesin dhe dashurinë për futbollin.
Flamurtari ka paralajmëruar bojkot në rast se nuk i jepet fitorja në tavolinë. A do t’ju shijonte titulli nëse nuk do ta kishit kundërshtarin tuaj në ndeshjen e fundit?
Vendimi për bojkot është i tyri, nuk na përket që ta diskutojmë. Ndërsa ne jemi pranë titullit, për të mos thënë që e kemi atë. Pas ndeshjes me Vllazninë do të na duhet zyrtarisht të nisim festën. Flamurtari le të bëjë si të dojë. Ne do të na shijonte titulli njëlloj, si me Vlorën në kampionat dhe me Vlorën që bojkoton. Dy ndeshjet e fundit janë për të ruajtur formën fizike, ndaj dhe ajo me Vlorën nuk ka më rëndësi. Uroj që prezentë ndaj shkodranëve të jenë edhe tifozët, për të festuar të gjithë së bashku.