Nga Henri (Naim)  Çili

Pas shumë e shumë vjetësh bllokime të këtij projekti, duke privuar besimtarët muslimanë të Tiranës nga një objekt i ri dinjitoz kulti, Edi Rama, në vitin zgjedhor 2011, në muajin e fushatës prill-maj, shpall sot projektin fitues të Xhamisë së re të Tiranës. Të vjen për të qeshur me mëtimin e fundmë elektoral të kryetarit të Bashkisë në këto 11 vjetët e fundit, që pikërisht në minutën e fundit para zgjedhjeve “ushqen” komunitetin musliman të Tiranës dhe të Shqipërisë për të ndërtuar një objekt që ata kanë më shumë se 10 vjet që e kanë kërkuar dhe që u jepet tani. Është kaq elektorale, kaq me kasten, sa me të vërtet duhet ndaluar në këtë çështje.

Në fakt raportet mes pushtetit dhe fesë janë gjithnjë profane, nuk i përkasin të shenjtës, por ndërtimi i kësaj xhamie zhvillohet brenda dy blasfemive të papranueshme për komunitetin musliman dhe çdo komunitet fetar në tërësi. Blasfemia e parë është përdorimi politik i këtij projekti në një përpjekje të fundme për të marrë vota nga një komunitet njerëzish të Tiranës, siç janë besimtarët muslimanë, të cilët prej lejimit të fesë më 1991, nuk kanë realisht një vend dinjitoz për ritet e tyre fetare.

A kishte kohë për këtë projekt më parë ose më vonë, për të mos e elektoralizuar kaq fort çështjen e objekteve të kultit në Shqipëri? Patjetër që po. Çdo kryebashkiak i qytetit do ta kishte zgjidhur këtë çështje me kohë, do ta kishte zgjidhur në një mënyrë të favorshme, do t’i kishte mundësuar këtij komuniteti realizimin e një kërkese të kahershme. Vetëm një tendenciozitet ndaj këtij komuniteti nga drejtimi aktual i Bashkisë së Tiranës, e ka lënë këtë çështje të zvarritet deri më tani. Vetëm një emergjencë elektorale e shkallës së lartë e ka detyruar Ramën që, më në fund, t’ua japë atë që thjesht i takonte këtij komuniteti, si dhe të tjerëve komunitete fetare, aq më tepër myslimanëve, që janë shumica e Tiranës. Katedralja katolike dhe ajo ortodokse ose janë ngritur ose kanë kohë që po ndërtohen. Lënia në fund e muslimanëve, kur për më tepër janë pjesa themeluese e historisë së këtij qyteti dhe janë pronarët më të mëdhenj të tokave në Tiranë, është realisht tendencioze. Nëse zgjidhja e kësaj çështjeje duhet përshëndetur,  lënia e saj për në momentin e fundit elektoral është me të vërtet diçka për t’u refuzuar.

Blasfemia e dytë lidhur me këtë projekt të Ramës është pikërisht vendi ku ajo është projektuar të ngrihet. Në fakt, është paradoksale që komuniteti që ka pasur prona të pafundme në kryeqytet, të mbetet të ndërtojë në një tokë tjetër private në Tiranë, që juridikisht i takon shumë e shumë pronarëve, të cilët as që janë pyetur për këtë projekt, as janë dëmshpërblyer e kështu me radhë.

Një vend i tillë “i nëmur” është paradoks që të mos u merret këtyre pronarëve sipas të gjitha ligjeve dhe normave morale për pronën. Duke filluar nga konsensusi ose dëmshpërblimi paraprak me çmim tregu i pronarëve të kësaj sipërfaqeje toke. Ky do të ishte minimumi që duhet bërë. Imagjinoni, çfarë emergjence dhe përdorimi elektoral ka pasur çështja, sa pa asnjë kujdes për ndërtimin e një objekti destinuar adhurimit të Zotit, është nisur nga shejtanllëku që bën mu në publik. Minimumi i mundshëm, çështja e kësaj xhamie duhet rishqyrtuar nga shumë aktorë në një kohë më të qetë, kur zgjedhjet të kenë marrë rrugën e tyre.