Dhjetëra familje tiranase, pronarë të truallit në vendin ku është planifikuar të ndërtohet Xhamia e re, i kanë drejtuar dje një peticion autoriteteve më të larta shtetërore, duke kundërshtuar planin e Bashkisë së Tiranës. Firmëtarët e këtij peticioni akuzojnë kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po rrëmben pronën e tyre, “njësoj siç bëri Enver Hoxha në vitet ’60”. Protesta e pronarëve të truallit i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, por edhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë. “Ne, qytetarë të Tiranës, pronarë të truallit dhe të dyqaneve te “Pazari i Vjetër”, të prishura gjatë kohës së komunizmit në vitet 1960, duam t’i bëjmë me dije Bashkisë, qeverisë dhe trupit diplomatik në Tiranë dhe mbarë opinionit publik, për aktin e fundit mashtrues të kryebashkiakut Edi Rama.

 Sot në vitin 2011, zoti Rama pretendon të ndërtojë xhaminë e shumëpritur të besimtarëve myslimanë, pikërisht në vendin ende të lirë të pazënë nga betoni bashkiak, duke shpërfillur në mënyrë përbuzëse pronarët e truallit” – shkruhet në peticionin e firmosur nga përfaqësuesit e familjeve Toptani, Baroni, Demaj, Starova etj. Sipas pretendimeve të këtyre familjeve, ky është akti i dytë, pas atij të diktatorit Hoxha, që diskriminon të drejtën e këtyre familjeve për të gëzuar pronat e tyre. Në letër ata i bëjnë thirrje autoriteteve të larta të shtetit, që të mos shkelin të drejtat e tyre të pronësisë.

“Kryebashkiaku, për interesa elektorale, shpall vendin që ka zgjedhur vetë, sikur ta kishte të tijin. Ai nuk ka marrë as mundimin më të vogël të kontaktonte me 88 familjet tiranase, pronare të këtij trualli. Kryebashkiaku i Tiranës rrëmben prona pa konsultim, pa dijeninë tonë dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak, duke shtetëzuar prona si në kohën e diktaturës”, – thuhet në peticionin e pronarëve të truallit pas Pallatit të Kulturës. Komuniteti Mysliman, disa javë më parë paralajmëroi praninë e pronarëve të tokës në këtë truall, të caktuar nga Bashkia e Tiranës, duke kërkuar fillimisht kompensimin e tyre dhe më pas miratimin e projektit për xhaminë.

 Duke qenë se Komuniteti ka në pronësi vetëm një pjesë të truallit, ku do të ndërtohet xhamia, vetëm 700 metra katrorë, kërkon që të bëhet shpronësimi për sipërfaqen e mbetur, e cila ka pronarë. Për të gjitha këto arsye, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka organizuar një muaj më parë një mbledhje të jashtëzakonshme në ambientet e Medresesë së Tiranës, nga e cila ka dalë edhe një deklaratë për shtyp, në të cilën evidentohet qëndrimi për xhaminë e re.

“Ne nuk mund t’i drejtohemi Zotit, duke përvetësuar qoftë edhe një pëllëmbë toke të individit, e një institucioni tjetër vendor apo më lart se sa kaq, apo kushdo qoftë”, – ka deklaruar në atë kohë kryetari i Këshillit Kombëtar të Komunitetit Mysliman, Ylli Gura. Sipas tij, Komuniteti Mysliman ka pronë të tijën vetëm 700 metër katrorë në sipërfaqen e përcaktuar për ndërtimin e xhamisë, ndërkohë që pjesa tjetër është tokë e pronarëve.