60 vjet më parë, në fshatin Mënik, pranë urës së Beshirit, kishte tre ditë e net që punohej për të hapur një gropë të madhe. Fshatarët e zonës nuk kuptonin asgjë se ç’ishte kjo ardhje e beftë e ‘shtetit’ pranë shtëpive të tyre. Duhet të kalonin ato tri ditë e të mbërrinte nata e fundit, që të dëgjohej klithma e një gruaje që do të ngacmonte kureshtjen e të gjithë banorëve përreth. Ishte Sabiha Kasimati, intelektualja që u pushkatua bashkë me 21 burra të tjerë të akuzuar pas plasjes së bombës në Ambasadën Sovjetike në shkurt të vitit 1951. Se si kishin rrjedhur ngjarjet, familjarët e viktimave mund ta mësojnë vetëm pas vitit ’92. Ishte atëherë që patën mundësi të komunikojnë me fshatarë të zonës. Ishte atëherë që mësuan edhe për përpëlitjet e së vetmes grua në atë grup burrash. Plumbi i parë, Sabihanë nuk e kishte prekur dhe vdekja e saj ishte vonuar, ndryshe nga shokët e saj. Por këtë herë të dytë nuk do të kishte më plumb. Vuajtje e tortura të njëpasnjëshme do t’i binin mbi shpinë, deri sa të jepte shpirt.

Të gjitha këto sot i tregon nipi i saj, djali i vëllait, Viktor Kasimati. Kur hallën e pushkatuan, Viktori ishte 16 vjeç, pra në gjendje të kujtojë se ç’ndodhte ato kohë në shtëpinë e tij dhe se si ishte situata, kur erdhën i lajmëruan… Por cilat kishin qenë arsyet e vërteta të këtij dënimi makabër? A bindej kush se ‘shashka’ që kishte thyer vetëm disa xhama të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, pa shkaktuar as edhe një të plagosur, kishte qenë arsyeja e vërtetë? Jo! Kjo ngjarje kishte qenë vetëm justifikimi, që sipas Viktor Kasimatit, i shërbeu Enver Hoxhës për të ekzekutuar njerëzit që gjithnjë e më shumë po kundërshtonin regjimin e tij komunist…

Sabiha Kasimati ka qenë halla juaj, ndërkaq edhe një prej 22 personave që u pushkatuan më ’51-shin, pas bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. A kujtoni diçka prej asaj kohe?
- Unë kam qenë 16 vjeç kur Sabihaja është pushkatuar. Ka qenë një vajzë e shkolluar, përherë e angazhuar në aktivitetet e kohës. Kjo e bënte atë energjike, por kishte edhe natyrë tepër të  prerë, nga sa kujtoj unë. Nga një situatë me time më, kur diçka bisedonim, kujtoj që unë disi e kundërshtoja. Halla u gjend aty dhe më sheh menjëherë me sy të vrenjtur duke thënë: “Si i kthen fjalën mamasë”. Mbaj mend që krijohej gjithnjë një farë ndrojtjeje nga ajo, pikërisht për shkak të kësaj natyre të rëndë gati-gati burrërore.
 

Jetonte me ju, meqë nuk ishte e martuar?
- Jo, vërtet nuk u martua kurrë, por jetonte vetëm. Për shkak të hyrje-daljeve që kishte me studiues e intelektualë të tjerë në vend që e vizitonin gjithnjë, ajo kishte nevojë për hapësirën e saj.
 

Ku ishte shkolluar që ishte përfshirë në një rreth të tillë?
- Sabihaja ka lindur në Edrene të Turqisë dhe kur u kthye u vendos te i vëllai në Korçë dhe në ’27-ën nisi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti, duke qenë e vetmja vajzë deri në atë kohë. Edhe pas Liceut, ndryshe nga shoqet e saj, ajo ishte e vendosur të vazhdonte studimet e larta, që në atë kohë kryheshin vetëm jashtë shtetit. Kështu, arriti ta realizojë atë ëndërr të sajën dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Torino.
 

Kur nisi të ishte më e angazhuar, u largua të jetonte vetëm, apo jo, sepse ka jetuar edhe me ju…
- Në vitet e para të pasluftës, kur unë isha ende fëmijë, dëgjoja nga familjarët që hallës i ishte ofruar një vend pune në Amerikë nga miqtë e saj, me të cilët kishte studiuar në Torino. E dëgjoja kur bisedonte me babanë dhe i tregonte që kishte refuzuar, sepse donte të rrinte në vendin e saj, pra u kthye në Shqipëri dhe u emërua në Institutin e Shkencave, që ishte institucioni më i lartë shkencor i atyre viteve, me drejtor Selaudin Toton dhe ku bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, profesor Zuberi, (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri etj.). Në këtë kohë u largua nga banesa ku jetonte me ne dhe u shpërngul në një apartament më vete, për të qenë më e lirë për të punuar.
 

Nga të qenit pjesë e një shtrese të lart intelektuale, Sabihaja u vu shumë shpejt në shënjestër të krerëve…
- Së pari, pas lufte u duk se gjërat po shkonin mirë, por në fillim të viteve 1947-1948 lufta e klasave në vend nisi të ashpërsohej. Ky ishte një qëndrim me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë. Gjërat u rënduan më tepër kur filloi të dënohej dhe të goditej elita e intelektualëve, një pjesë e të cilëve ishin shokët e saj. Sidomos pushkatimi i Selaudin Totos krijoi tek ajo një zhgënjim të madh dhe e bëri të krijonte një bindje tërësisht kundër regjimit komunist. Shpesh vinte dhe bisedonte me babanë, duke u shprehur se të gjitha këto që po bëheshin ishin të padrejta dhe se shteti nuk mund të ndërtohej mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste, shprehej ajo, por tashmë po bindem se nuk isha gabuar”. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm dhe i thoshte hapur mendimet. Për më tepër ajo njihej nga afër me Enver Hoxhën.
 

Si kishte qenë njohja e saj me Enver Hoxhën?
- Sabihaja ishte femra e parë që studioi në Liceun e Korçës, po aty është njohur edhe me Enverin, e ka pasur në klasë. Për rrjedhojë, njihte edhe kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Kjo më ka bërë gjithmonë të besoj që Enver Hoxha personalisht kishte një arsye më tepër për të kërkuar eliminimin e saj.
 

Vetëm kjo nuk mund të jetë arsye… Ç’ngjarje të tjera fshiheshin pas këtij eliminimi që ju jeni i bindur se kanë qenë me urdhër të Enver Hoxhës?
- Sabihaja ishte natyrë rebele. Edhe tim atë e kam dëgjuar t’i thoshte shpesh të kishte kujdes kur fliste, sepse me ata nuk i dihej asnjëherë. Por ajo ashtu ishte gatuar, e kishte të pamundur të rrinte e heshtur e madje e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend. Kështu, diktatori mund të gjente shkak për eliminimin e saj, e pse jo edhe ta përfshinte në veprimtari terroriste, ashtu siç veproi. Të mbushje dosje në atë kohë rezulton që nuk paska qenë edhe aq e vështirë, e sidomos për t’i nxirë ato ishte tepër e thjeshtë. Fare mirë në dosjen e saj mund të jetë shënuar edhe fakti se shoqëroi një gazetar laburist anglez që kishte ardhur për të vizituar vendin tonë, duke qenë se Sabihaja njihte disa gjuhë perëndimore. Por më vonë askush nuk i pengonte organet tona të inteligjencës, që ta interpretonin këtë fakt si “veprimtari agjenturore”.
 

A ju kishte rënë rasti ta dëgjonit vetë në rebelimet e saj ndaj Enver Hoxhës?
- Në praninë time halla rezervohej në bisedat rreth tij, megjithatë kisha dëgjuar ndërsa i thoshte babait se “Udhëheqësi nuk ishte ai që shfaqej”. “Nuk ishte dhe aq tipi i luftëtarit se sa tipi i Don Zhuanit, që nuk shquhej për ndonjë moral me vlera”. E kishte njohur drejtuesin e vendit gjatë viteve të tij të rinisë, atëherë kur ishte edhe më e lehtë për të gabuar dhe, me sa duket, rinia e Enverit kishte gjëra që duheshin fshehur. Kishte treguar sjellje amorale gjatë viteve të liceut, pra kishte bërë një figurë jo të mirë edhe në qytet. Ishte kjo pjesë tjetër e medaljes, për të cilën halla fliste shpesh, deri sa më pas nisi të flasë hapur, duke e akuzuar si përgjegjës kryesor për dënimet që nisën të bëheshin.
 

Pra, Enver Hoxha e dënoi për shkak të qëndrimeve të saj të kundërta, apo sepse diçka fshihej në të shkuarën që mund të dilte në sipërfaqe?
- Mendoj që ndërthuren të dyja, por sigurisht që edhe qëndrimet e saj të vazhdueshme kundër ishin vendimtare.
 

Dini ndonjë situatë konkrete të këtyre reagimeve kundër?
- Për shkak të takimeve të rastësishme në rrugë mes hallës dhe Enverit, ata flisnin e bisedonin shpesh dhe në asnjë rast halla nuk kursehej të thoshte fjalën e saj ashtu siç e mendonte. Aq sa njëherë ai i pati thënë: “Po ti vetëm imperialistët francezë lexon, merr lexo Marksin”. Të gjitha këto akumulime që kishte bërë në gjithë këto vite, e bënin Enverin të arrinte deri te akuza se Sabihaja kishte organizuar këtë grup intelektualësh dhe bashkë me imperialistët do të çonin në luftën e 3-të botërore. Imagjinoni se deri ku kanë arritur…
 

Por ai nuk u hakmor vetëm ndaj saj, të pushkatuarit ishin 22 vetë!
- Nuk mund ta vriste të vetme, pa pasur një akuzë publike. Prandaj u gjet varianti i bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Ky ishte rasti më i mirë për t’i eliminuar, sepse edhe të tjerët, pavarësisht se ishin të gjithë intelektualë, reagonin po njësoj si Sabihaja, pra të gjithë janë dënuar vetëm pse nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen regjimit.
 

Si dhe kush ju ka njoftuar kur e pushkatuan?
- Natën pas shpërthimit që ndodhi në Ambasadën Sovjetike, ku ishin thyer disa xhama, në apartamentin e saj kishte qenë e ftuar një mikeshë. Pikërisht atë mesnatë Sabihanë e kishin arrestuar. Të nesërmen në mëngjes, shoqja e saj trokiti në shtëpinë tonë. Doli babai e pas tij edhe unë. “Mbrëmë kam qenë tek Sabihaja dhe atë e arrestuan”, tha ajo. Askush më pas nuk mori vesh motivet e arrestimit. I kishin hedhur prangat dhe e kishin marrë në Degën e Brendshme, pa asnjë sqarim. Ne të familjes menduam së pari se e gjithë kjo kishte qenë një ngatërresë që mund të sqarohej, por nuk ndodhi kështu. Po atë ditë u arrestuan edhe 300 persona të tjerë për verifikime dhe ne menduam se halla mund të kishte qenë në këtë grup. Por sa më shumë shtohej koha, aq më shumë nisëm të besonim se diçka kishte ndodhur. Ime gjyshe, pas gjithë kohës së përpjekjeve që bëmë për të marrë vesh ndonjë lajm, shkoi të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht. Përgjigjja e Omerit kishte qene e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin”. Kaq mjaftoi për të kuptuar.
 

Pra ka qenë gjithçka personale?
- Domosdo, zemërimi i Enver Hoxhës nuk kishte mbajtur më. Për më tepër, ai nuk mund të lejonte që një femër, ish-shoqja e tij e klasës, të fliste për të, të tregonte hapur gjithçka që dinte dhe të dilte kundër tij, duke e akuzuar poshtë e lart për gabime e faje, të vjetra e të reja. Me këtë ndëshkim ai do të tregonte që ishte i fuqishëm dhe nuk duhej të dilnim kundër tij. Dua të shtoj, që për më tepër nuk mund të jetë aspak i rastësishëm fakti që pjesën më të madhe të atyre që u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951, Enver Hoxha i njihte personalisht.
 

Si e morët vesh të vërtetën?
- Në përpjekjet tona të vazhdueshme, të xhaxhait kryesisht, për të marrë vesh diçka. Mësuam pas disa kohësh nga disa miq të afërm që kishim, se çfarë kishte ngjarë: Sabihanë e kishin pushkatuar së bashku me 21 persona të tjerë. Gjithçka kishte marrë fund brenda 2-3 ditëve. Sigurisht kohë e shkurtër për të pyetur dhe për të çuar drejt vdekjes 22 persona, megjithatë, kishte marrë fund. Asnjë sqarim nuk u dha për këtë ngjarje.
Ishte zhvilluar një gjyq në mungesë dhe morëm vesh vite më vonë, falë dekretit firmosur nga Omer Nishni, po ato ditë, ku lejohej të kryhej gjyqi në mungesë, për personat që akuzoheshin për veprimtari terroriste…
 

Pas vitit ’90, di që keni mësuar më shumë rreth ngjarjes…
- Po, u krijua një komision nga viti ’92, i cili mblodhi të afërmit e të pushkatuarve dhe ishin ata që kërkuan në zonën ku ishte bërë pushkatimi. Nga fshatarët e zonës morëm vesh se qysh tre ditë përpara se t’i ekzekutonin, në fshatin Menik, në afërsi të Urës së Beshirit, ishte hapur një gropë e thellë. Aty i kishin hedhur, i kishin lidhur me tela me gjemba dhe i kishin vrarë njëri pas tjetrit. Sabihanë nuk e kishte kapur plumbi për fat të keq dhe e kishin torturuar, deri sa kishte dhënë shpirt. Fshatarët tregonin se kishin dëgjuar klithma gjatë natës, një zë gruaje që ulërinte “Çfarë i kam bërë perëndisë?”. Kohë më pas, kishte kaluar andej një traktorist që nuk ishte në dijeni të ngjarjes dhe duke punuar, kishte nxjerrë trupin e saj në sipërfaqe, meqenëse ajo ishte hedhur më vonë se të tjerët, përderisa kishte vdekur e fundit.

Nga : Ani Jaupaj

Panorama Online