Makthi i Amerikës & PerendimitISLAMABAD- ”Osama bin Laden është vrarë. Drejtësia u vu në vend”- Lajmërimi i presidentit të SHBA-së Barak Obama direkt në televizion tronditi SHBA-në dhe mbarë botën. Njeriu më i kërkuar, simboli i terrorit, truri i tragjedisë së 11 shtatorit të 10 viteve më parë në Nju Jork ka vdekur.

Lajmi merr dhenë. Në SHBA nis festa. Në mes të natës njerëzit dalin në rrugë dhe festojnë, me thirrjet në kor: “Usa, Usa, Yes we can”, ( SHBA, SHBA, po ne mundemi) ndërsa valëvisin flamujt amerikanë.
Pas 10 vitesh Amerika tronditet me një lajm që shënon fitoren të cilën askush nuk e priste pas shumë vitesh kërkime.

SHBA: BIN LADENI PËRDORI NJËRËN NGA GRATË SI MBUROJË GJATË SULMIT
Osama Bin Ladeni përdori njërën nga gratë, me sa duket bashkëshorten, si mburojë njerëzore gjatë sulmit amerikan ku ai u vra në Pakistan, njoftoi sot këshilltari kryesor i presidentit Barack Obama për luftën kundër terrorizmit, John Brennan.
Kjo grua, e cila është vrarë ashtu si shefi i Al-Kaidës në sulmin e një komandoje amerikane kundër vilës ku ky i fundit fshihej në Abbottabad, në veri të Islamabadit, “shërbeu si mburojë njerëzore”, shpjegoi Brennan në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.
“Sipas asaj që kuptova dhe informacioneve të detajuara që na vijnë akoma, kur Bin Ladeni ishte në pozicion për t’u goditur, ajo ishte vendosur në një mënyrë që tregon se ajo u përdor si mburojë njerëzore”, vazhdoi zyrtari. “Dhe se Bin Ladeni apo djali i tij e vendosën atje, ose se e bëri vetë këtë, po, sipas asaj që kuptova, ajo u vra, dhe ishte njëra nga gratë e Bin Ladenit”, theksoi Brennan.

OSAMA BIN LADEN VRITET NGA NJËSITË SPECIALE AMERIKANE
Osama bin Laden, terroristi më i kërkuar në botë, ka vdekur. Njësitë speciale amerikane e zbuluan dhe e vranë udhëheqësin e rrjetit terrorist të El Kaidës në afërsi të kryeqytetit të Pakistanit Islamabad, njoftoi presidenti amerikan Barack Obama në Uashington. Drejtësia ka triumfuar, tha Obama në një fjalim televiziv. Para Shtëpisë së Bardhë në Uashington pas marrjes vesh të lajmit u grumbulluan mijëra njerëz, që brohorisnin. Bin Laden konsiderohej si përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, gjatë të cilave në SHBA humbën jetën rreth 3.000 vetë. Presidenti i SHBA-së Obama tha, se në gusht 2010 janë mësuar të dhënat e para për vendndodhjen e Bin Ladenit. Javët e fundit ai ka patur informacione të mjaftueshme dhe ka vendosur të veprojë, tha Obama. SHBA ka vendosur në gatishmëri përfaqësitë e tyre diplomatike në të gjithë botën. Arsyeja është frika se terroristët mund të kryejnë akte hakmarrjeje.

LEHTËSIM NË PERËNDIM PAS VDEKJES SË OSAMA BIN LADENIT
Vdekja e Osama bin Ladenit është pritur në perëndim me lehtësim të madh. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, theksoi se Bin Laden mban në ndërgjegjen e tij jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm. “Fakti që këtij terroristi i është ndërprerë veprimtaria, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit, që e duan paqen. Por me këtë natyrisht që nuk ka përfunduar lufta kundër terrorizmit dhe ekstremitzmit”, tha Westerwelle. Kryeministri britanik, David Cameron, tha në një reagim të parë pas vdekjes së Osama bin Ladenit se ky lajm do të thotë një lehtësim i madh për njerëzit në gjithë botën. “Sigurisht, kjo nuk do të shënojë edhe fundin e kërcënimit me të cilin ne përballemi nga terrori ekstremist. Në të vërtetë, ne duhet të jemi shumë syçelë veçanërisht në javët e ardhshme. Por kjo besoj unë është një hap masiv përpara”, tha Cameron. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi, se kjo është një fitore e madhe për Uashingtonin dhe aleatët e tij.

VDEKJA E BIN LADEN, GEO TV PRANON SE SHPËRNDAU FOTO FALSE
Televizioni pakistanez Geo Tv, rrjeti kryesor i vendit aziatik pranon se është një foto false, imazhi i publikuar fillimisht si fytyra e Bin Ladenit të vrarë. Në orët e para pas dhënies së lajmit për vrasjen e tij sot në mëngjes nga forcat amerikane, televizioni publikoi fotografinë e kryeterroristit të vrarë, imazhe që bënë xhiron e botës brenda pak orësh.
Por, pas shumë dyshimesh për autenticitetin e fotografisë, rrjeti televiziv, Geo Tv pranoi se bëhet fjalë për një imazh fals, i publikuar më parë edhe në 2009, ashtu sic kishte deklaruar kreu i zyrës së Islamabadit dhe vendosi të tërheqë fotografinë.
Kjo e fundit nuk është gjë tjetër vecse një fotomontazh e publikuar fillimisht në 2006-ën, me emrin Osama i torturuar dhe po ta shohësh me detaje, është krejt e ngjashme me fotografinë klasike të terroristit islamik, të publikuar në vitet e fundit.

FBI PËRDITËSON FAQEN: BIN LADEN I VDEKUR
FBI përditëson faqen, dhe tashmë Osama Bin Laden nuk është më në listën e 10 terroristëve më të kërkuar. Mbi figurën e Osama Bin Laden ndodhet mbishkrimi Deceased”, ( i vdekur)

TALEBANET: DO MARRIM HAK, KARZAI: NDALNI LUFTEN
Talebanët pakistanezë betohen për hakmarrje dhe kërcënojnë se “do sulmojnë objektivat amerikane dhe qeverinë e Islamabadit”.
“Do hakmerremi dhe do sulmojmë qeverinë amerikane dhe pakistaneve dhe forcat e tyre të sigurisë” paralajmëron zëdhënësi i Ehsanullah Ehsan, duke i cilësuar si armqitë të Islamit”.
Zëdhënësi nuk konfirmoi vdekjen e sheikut të terrorizmit por u limitua duke thënë se “Nëse është martirizuar është një fitore e madhe pasi martirizimi është qëlllimi i të gjithve ne.
Edhe organizata palestineze, Hamas ka dënuar vrasjen e Osama Bin Laden duke e përkufizuar “si vrasjen e një luftëtari të shenjtë arab” Ndërkohë që presidenti afgan, Hamid Karzai u bëri thirrje kryengritësve talebanë të nxjerrin mësime dhe të ndërpresin luftimet.
Duke iu drejtuar aleatëve perëndimorë, ai nënvizoi se fakti që Bin Laden u vra në Pakista provon që bazat e terrorizmit nuk ndodhen në Afganistan dhe u bëri thirrje të përqendrojnë goditjet e tyre në bastionet jashtë vendit të tij. “Ne u bëjmë thirrje talebanëve të nxjerrin mësime nga ajo që ka ndodhur dje dhe të ndërpresin luftimet, të ndërpresin shkatërrimin e vendit të tyre dhe vrasjen e vëllezërve myslimanë dhe djemve të këtij vendi dhe të mbështesin partinë e paqes dhe sigurisë”, deklaroi Karzai.
“Talebanë, kthehuni në vendin tuaj dhe ndërprisni luftimet, lëshoni armët e të huajve që kanë venë në supin tuaj”, deklaroi ai pa dhënë shumë detaje.

MISTERI MBI TRUPIN E BIN LADENIT
Groposja e trupit të Bin Laden në det, pritet të ngjallë shumë polemika dhe mund të tërheqë vëmendjen e mbarë botës më shumë sesa vetë lajmi i vrasjes së tij. SHBA shpjegon se groposja e tij në det është referuar një vendimi të marrë në respekt të besimit islamik, por edhe nga fakti se Arabia Saudite dhe vendet e tjera islamike refuzonin të merrnin trupin.
Por nga ana tjetër Mahmoud Ashour, i akademisë së kërkimeve islamike në Al Zhar, qëndra më prestigjioze në Kairo thotë se “kjo lloj varrosjeje përfaqëson një dhunim të rëndë të besimit islamik. “
Zgjedhja e amerikanëve për të varrosur kufomën e Osama bin Laden në det është në kundërshtim me principet e Sheiratet islamike”- ka deklaruar Abdel Mouti al-Bayoumi, i komitetit të kërkimeve në të njëjtën akademi. Ai ka shpjeguar se “për ligjin islamik lejohet varrimi i një të vdekuri në det vetëm nëse gjendet në një barkë larg brigjeve dhe nuk ka mundësi ëpr të arritur në tokën më të afërt për ta varrosur”
Al-Bayoumi fton amerikanët për të respektuar sheiratet në këtë moment kaq të vecantë. E kuptojmë që amerikanët mund të kenë frikë se varri i Bin Laden mund të kthehet në një vend pelegrinazhi, por ne besojmë se të gjithë janë të vetëdijshëm se veprimet e tij ishin të gabuara. “
Sipas tij “për pjesën më të madhe të myslimanëve, Bin Laden ishte një njeri i padrejtë dhe nuk gëzon popullaritetin e madh mes arabëve.

FORTESA E BIN LADEN 1 MILIONE DOLLARESHE
Bin Laden ka kaluar ditët e fundit të tij në një fortesë 1 milionë dollarëshe. Kjo është rezidenca e liderit të Al Kaedës në Abbotabad, në veri të Islamabadit, në Pakistan, e përshkruar nga një funksionar i Shtëpisë së Bardhë,
“Kemi mbetur të shokuar nga ajo që pamë, një godinë e jashtëzakonshme dhe e vetme”, ka shpjeguar për BBC funksionari i Shtëpisë së Bardhë. Siopas tij “Struktura e ndërtesës kishte një vlerë afarësisht 1 milionë dollarëshe por nuk kishte lidhje telefonike apo interneti.
Ndërtesa tre katëshe, me dritare të vogla dhe tarraca në katin e tretë kishte një mur mbrojtës të gjatë 2 metra”- raporton BBC

INTEROPOL: RRITET RREZIKU I TERRORIZMIT
Organizata e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, me seli në Lion të Francës, paralajmëroi sot për një rrezik më të lartë terrorist pas eliminimit të Osama bin Ladenit. Në një deklaratë për shtyp, organizata vlerëson se vdekja e Osama bin Ladenit krijon rrezik më të lartë terrorist nga ana e al-Kaedas apo terroristëve që frymëzohen nga al-Kaeda. “Terroristi më i kërkuar në botë nuk është më, por vdekja e Bin Ladenit nuk përbën zhdukjen e organizmave simotra të al-Kaedas apo të frymëzuara nga al-Kaeda, të cilat vazhdojnë dhe do të vazhdojnë të implikohen në sulme terroriste në të gjithë botë”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Interpolit Ronald Noble, cituar në deklaratë. “Pra, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të përqëndruar në bashkëpunimin dhe luftën në të cilën jemi angazhuar, jo vetëm kundër këtij kërcënimi botërore, por edhe kundër terrorizmit të cilitdo grupi, kudo qoftë ai”, shton organizata.

CNN: BIN LADEN ESHTE VARROSUR NE DET
„Osama bin Laden është varrosur në det”- shkruan Cnn online duke cituar një funksionar të SHBA, sipas të cilit kufoma e liderit të Al Kaedës, është “trajtuar sipas traditësë islamike”. Por nuk janë saktësuar rrethanat e kësaj varrosjeje.
“Ne ju sigurojmë se trupi i tij u trajtua në përputhje me praktikën dhe traditën myslimane. Është diçka që ne e marrim shumë seriozsisht”, pohoi më herët një zyrtar i lartë i administratës Obama në një konferencë telefonike. Trupi i një myslimani duhet të lahet nga persona të besimit mysliman dhe të varroset sa më shpejt të jetë e mundur, i mbështjellë me qefin, përgjithësisht brenda 24 orëve pas vdekjes.

PEACE REPORTER: FOTOJA e BIN LADEN, FALSE
Fotografia e kufomës së Osama Bin Laden e e shpërndarë në mediat e të gjithë botës, sipas faqes online “Peace reporter” është “false”. Fotoja u shpërnda nga tv pakistanez TV ekspress, pak kohë pasi presidenti Obama konfirmoi vdekjen e Osama Bin Laden. Nga sa shkruhet në këtë faqëe bëhet fjalë për një imazh të përpunuar me një program që përpunon imazhin i marrë nga siti “’unconfirmedsources’. Emri i fajlit, 20060923-torturedosama. Jpg duket se mjafton për të sqaruar keqkuptimin dhe sqaron se bëhet fjalë për një foto të 23 shtatorit 2006, me emrin “ Osaman i torturuar”, shkruan la repubblica.

OPERACIONI, U VRA ME NJE PLUMB NE KOKE
 Bin Laden është vrarë me një plumb në kokë. Operacioni final për arrestimin e Bin Laden është kryer sot në Abbotabad, në luginën Orash në veri të Islamadadit, dhe është drejtuar nga një grup ushtarakësh elitë në përbërje të të cilit kishte dhe ushtarakë pakistanezë.
Operacioni kundër rezidencës sekrete të kreut të Al Kaedës, 70 km në veri të Islamabadit ishte planifikuar në dy muajt e fundit. Në operacion bashkë me Osama Bin Laden kanë mbetur të vrarë dhe 4 persona të tjerë, mes tyre 3 burra, dhe një grua. Raportohet se një prej viktimave është i biri i Bin Laden.
Trupat ushtarake kanë arritur të marrin si provë trupin e vrarë të Bin Ladenit, pamjet e para të të cilit janë transmetuar nga televizioni pakistanez TV Express, por disa faqe online dyshojnë për vërtetësinë e tyre. Mësohet se Bin Laden ka bërë rezistencë gjatë sulmit ushtarak.

OBAMA: DREJTESIA U VU NE VEND
“Vdekja e Bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Kaedës. Por vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Kaeda do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë ne. Ne duhet dhe do të jemi vigjilent si brenda dhe jashtë” nënvizoi presidenti Obama.
Presidenti amerikan tha se forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së Bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje.Obama falenderoi presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari për bashkëpunimin.
“Ne duhet të rikonfirmojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë e kurrë nuk do të jenë në luftë me islamin. E kam bërë të qartë ashtu siç e tha dhe presidenti Bush pas 11 shtatorit se lufta jonë nuk është kundër islamit, Bin Ladeni nuk ishte udhëheqës i myslimanëve, por një vrasës masiv i myslimanëve.
Al Kaeda ka masakruar myslimanë në shumë vende përfshi këtu tek ne. Ikja e tij do të mirëpritet nga të gjithë ata që besojnë tek paqja dhe dinjiteti njerëzor”, tha Obama.

FESTA NE NJU JORK
Mijëra njerëz janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork duke valëvitur flamuj amerikanë. Presidenti Obama përpara se të bëjë lajmin publik ka informuar presidentin Bush dhe Clinton. Presidenti Bush përmes një deklarate tha se kjo ishte “fitore e madhe për Amerikën”.

Kryeminsitri britanik, ndër të parët që ka reaguar pas vrasjes së Bin Ladenit, ka thënë se vdekja e Bin Ladenit ka sjellë “lehtësim të madh” në të gjithë botën. Kryebashkiaku i New York, Mchael Blumberg tha se shpreson që lajmi të ndihmojë të afërmit e viktimave të 11 shtatorit.
(S. Gera/E.Cuko/BalkanWeb)