Shqipëria hyn në heshtje zgjedhore në mesnatën e së premtes. Pas një fushate elektorale intensive, vendi sot është në heshtje të plotë zgjedhore, për t`i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 8 maj. Dita e shtunë është përcaktuar si ditë e reflektimit të qytetarëve përballë alternativave dhe për të vendosur për më të mirën. Fushata elektorale u mbyll pothuajse në të njëjtin orar prej dy partive politike më të mëdha në vend.

Ditën e diel qendrat e votimit do të hapen për votuesit në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00. Shumë personalitete të huaja si dhe presidenti i vendit Bamir Topi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë në votime në mënyrë që të vendosin dhe të përzgjedhin drejtuesit që ata duan si shprehje e demokracisë. Sipas kodit zgjedhor fushata elektorale përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve dhe ia lë vendin heshtjes zgjedhore e cila përfundon në momentin që mbyllet votimi ditën tjetër.

Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Subjektet politike të cilat janë ndarë në dy koalicione dhe do të konkurojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit Përgjatë 30 ditëve, në takime me zgjedhësit shpalosën programet dhe alternativat e tyre për qeverisjen vendore gjatë katër viteve të ardhshëm. Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte politike.

Në zgjedhje do të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë, mbi 18 vjeç, përfshirë këtu edhe ata që mbushin këtë moshë më 8 maj të cilët kanë të drejtë të votojnë. Për të votuar duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi, kartë identiteti dhe pasaportë (edhe jo biometrike, nëse nuk i ka mbaruar afati).