Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njihet me problemet e ndodhura në qendrat e votimit deri në orën 10:00 të paradites. Informacionet, të marra kryesisht me lidhje telefonike, flasin për probleme me fletët e votimit, mosmarrje në kohë të bazës materiale dhe mungesë të anëtarëve të komisionit.

Kështu në komunën Shllak, sipas një informacioni të dhënë nga kreu i KZAZ-së, komisionerët e PS janë larguar bashkë me vulën nga të gjitha qendrat e votimit. Përfaqësuesi demokrat në komision Njazi Kosovrasti ka kërkuar që informacioni të vijë zyrtarisht në mnyrë që të merret një vendim konkret, ndërsa kreu i KQZ Ristani ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për bllokimin e komisionerëve. 

Edhe ne qendrën 4638, në ZAZ 66 në Qarkun Vlorë, sipas një informacioni të marrë po në linjë telefonike nuk janë paraqitur në detyre përfaqësuesit e PS dhe PBDNJ. Ndërkaq probleme me fletët e votimit, mungesa të tyre apo gabime në shtypje ka pasur në fshatin Melgush në komunën Bushat, në një QV në Fushë Krujë, në një qendër votimi në bashkinë Manzë, në komunën Papër e Pishaj dhe komunën Mollas.