TIRANË-Lulzim Basha, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, është shpallur dje zyrtarisht kryetar i Bashkisë së Tiranës. Me 4 vota pro dhe 3 kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me tagrin e KZAZ-së së përgjithshme të kryeqytetit, shpalli në orën 23:04, se Basha është fitues me 81 vota më shumë se kandidati tjetër socialist, Edi Rama.
Nga shumatorja e tabelave të 11 KZAZ-ve të Tiranës, KQZ-ja bëri të ditur se Basha ka siguruar 124 786 vota, Rama 124 705 vota ndërsa kandidati i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi 1394 vota. Më 8 maj kryeqytetasit iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre.

Por, u deshën plot 15 ditë të karakterizuara nga tensione, debate të ashpra, protesta, kontestime e akuza të ndërsjellta derisa të arrihej në shpalljen e rezultatit përfundimtar të Tiranës. Prej mbrëmjes së djeshme Lulzim Basha është kryebashkiaku zyrtar edhe pse Partia Socialiste e ka ankimuar çështjen në Kolegjin Zgjedhor, që pritet të japë verdiktin e tij. Megjithatë para se kolegji të thotë fjalën e fundit, vendimi i djeshëm i “KZAZ-së së përgjithshme të Tiranës”, pritet të ankimohet në KQZ brenda 3 ditëve nga ana e PS-së. Deri në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar edhe dita e djeshme u karakterizua nga një amulli sa i përket fituesit real të zgjedhjeve të 8 majit për Bashkinë e Tiranës.

Rreth mesditës, pak minuta para vizitës së kreut të misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “pranonte” se fitues sipas procesit të numërimit kishte dalë Edi Rama me 10 vota para kandidati demokrat, Lulzim Basha.